Cassano pasi pa Feyenoord dhe PSV: “Do turpërohesha të isha lojtar i Milan e i Juves”

3 Min Read

Fitorja e lehtë e Inter në fushën e Feyenoord në ndeshjen e parë të 1/8-ve të Champions League i dha ish-futbollistit Antonio Cassano një tjetër arsye për të sulmuar Milan—që u eliminua nga ekipi i Roterdamit në fazën “playoff”—si dhe Juventus, i cili u eliminua nga PSV, një skuadër që të martën u poshtërua në shtëpi nga Arsenal me shtatë gola. Ish-futbollisti nga Bari e shtrin kriticizmin e tij edhe te e gjithë Serie A, duke e cilësuar si një kampionat që nuk është në nivelin e skenës më të lartë evropiane.

“Feyenoord është shumë i dobët, një turp i vërtetë”

“Feyenoord është i dobët, djem. Është shumë i dobët. Një gjë e turpshme”, shprehet Cassano në emisionin Viva el Futbol. “Janë të katërt në Holandë, por janë një katastrofë. Inter mund të luante deri nesër dhe prapë nuk do të pësonte gol. Feyenoord nuk arriti as të godiste portën. Inter mund të kishte shënuar pesë, gjashtë, shtatë gola pa problem, madje humbi edhe një penallti. Nuk kishte fare ndeshje dhe kthimi do të jetë i njëjtë, nëse jo edhe më keq për Feyenoord, që është tepër, tepër i dobët.”

Cassano i drejtohet Milan dhe Juventus: “Turp për ju!”

Nga këtu, për Fantantonion është e pashmangshme që të kthehet te skuadrat italiane të eliminuara në turin e mëparshëm: “Po të isha lojtar i Milanit apo i Juves, do të më vinte turp. Si mund të eliminohesh nga një skuadër aq e dobët si Feyenoord? Dhe pastaj Juventusin e shkatërroi PSV-ja në kthim, një ekip që më pas pësoi shtatë gola nga Arsenali! Arsenali është i fortë, por, djem, përsëri, shtatë gola në shtëpi?!”

Lexo më tej: Video/ Inter sheh çerekfinalen: zikaltrit bastisin Roterdamin me Thuram e Lautaro

Sipas Cassanos, dështimi i Milanit dhe Juventusit është një tregues i nivelit të dobët të futbollit italian: “Kjo më bën të kuptoj se kampionati italian është aq i tmerrshëm, sa që Juve tani ka hyrë sërish në garë për titull. Po sa keq që jemi në Itali? Luajmë një futboll të mërzitshëm, me ritëm të ulët, e pastaj vjen Arsenali, i shënon shtatë gola PSV-së, ndërsa Juve u eliminua me meritë. Dhe tani thonë: ‘Juve është rikthyer’. Po mirë, por duhet të turpërohen për atë që bënë. Kjo më tregon se në Itali kemi një kampionat të tmerrshëm. Milani dhe Juventusi duhet të ndihen të turpëruar që u eliminuan nga dy ekipe kaq të dobëta: një Feyenoord që është i tmerrshëm dhe një PSV që nuk është asgjë e jashtëzakonshme, siç e pamë kundër Arsenal.”

Share This Article
Leave a Comment