Vllaznia kthehet e dyta me Grudën e Bajramin: humbja e 4 radhazi për Partizanin

4 Min Read

Vllaznia ka shënuar një fitore të rëndësishme ndaj Partizanit, duke e mundur 2-0 në “Loro Boriçi” dhe duke vazhduar ndjekjen e kreut të Superiores. Një ndeshje që nisi e ekuilibruar, u vendos në pjesën e dytë nga dy gola të Grudës dhe Bajramit, duke thelluar krizën e të kuqve që nuk gjejnë rrugën e kthesës.

45′ balancë e pak raste të rrezikshme

Takimi nisi me një ritëm të kujdesshëm nga të dyja skuadrat, pa shumë rreziqe për portierët. Rasti i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 3-të, kur Balaj provoi me një gjuajtje në zonë, por Qirko reagoi mirë duke ndalur topin. Partizani tentoi të surprizonte me një goditje këndi të ekzekutuar nga Taipi në minutën e 15′, por topi kaloi mbi traversë. Në minutën e 31′, Qato lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, por Qirko largoi topin, i cili përfundoi te Deliu, por ky i fundit ishte në pozicion jashtë loje. Pjesa e parë u mbyll pa gola, me të dyja skuadrat që nuk arritën të konkretizonin rastet e tyre.

Gruda dhe Bajrami vendosin fatin e sfidës

Vllaznia e nisi fraksionin e dytë më e vendosur dhe në minutën e 51′ gjeti golin e avantazhit. Një top i gjatë drejt zonës nuk u kontrollua si duhet nga Qirko, duke i dhënë mundësinë Grudës të përfitonte dhe të dërgonte topin në rrjetë për 1-0. Partizani reagoi menjëherë me një gjuajtje të rrezikshme të Bintsouka në minutën e 55′, por topi kaloi ngjitur me shtyllën. Skuadra e Abilaliajt vazhdoi të kërkonte barazimin dhe në minutën e 59′, Sembene tentoi me kokë pas një goditjeje dënimi, por nuk gjeti kuadratin.

Në minutën e 67′, Gudjufi u shfaq i rrezikshëm në zonë, por Jukaj shpëtoi portën me një pritje vendimtare. Në minutën e 70′, Balaj mendoi se kishte dyfishuar shifrat kur shënoi pas një pasimi të Grudës, por VAR anuloi golin për pozicion jashtë loje. Në minutën e 86′, situata u bë edhe më e vështirë për Partizanin, pasi Domgjoni u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë ekipin e tij me një lojtar më pak. Në kohën shtesë pastaj, Vllaznia shënoi edhe golin e dytë dhe vulosi fitoren. Gurishta harkoi një top perfekt në zonë dhe Bajrami, me një goditje të saktë me kokë, mposhti Qirkon, duke çuar rezultatin në 2-0 në minutën e 91’.

Lexo më tej: Elbasani fut në krizë Partizanin me dy penallti: Abilaliaj i vërsulet arbitrit Koçi

I kënaqur tekniku Thomas Brdaric pas ndeshjes: “E dimë që mund t’i vrasim ekipet me kundërsulm, është vështirë të luajnë kundër nesh kur kemi rezultat të mirë. Duam që të rrijmë disa momente të lojës lart. Të gjithë lojtarët e sulmit sot, bënë punë të vështirë me mua se kërkoj shumë të vrapojnë”.

Vllaznia ngjitet, Partizani në krizë

Me këtë fitore, Vllaznia forcon pozitat në zonën e “Final Four” duke rimarrë vendin e dytë. Ndërkohë, Partizani thellon krizën dhe mbetet në një situatë të vështirë, ku mungesa e ideve në sulm dhe gabimet në mbrojtje vazhdojnë të penalizojnë ekipin e të kuqve. Tekniku i kryeqytetasve Abilaliaj e ka kapur edhe njëherë me arbitrin e ndeshjes: “Kam edhe rezervat e mia për pjesën e gjykimit përsëri. Nuk mendoj që në çdo ndeshje, të paktën 3 ndeshjet e fundit, na del me të kuq, rasti i Bintsukës nuk shikohet fare në pjesën e parë. Kështu bëhet e vështirë. Në momentin që jemi, duhet të eliminojmë gabimet individuale. Goli i parë për nivelin e lojtarëve, i papranueshëm”.

Share This Article
Leave a Comment