Emisioni ‘Opinion’ mbrëmjen e sotme u ndal në tre çështje të rëndësishme të ditëve të fundit, dhe një prej tyre është hetimi që SPAK ka kryer ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Pjesë e panelit, gazetarit Eni Ferhati u shpreh se kjo gjë mund të përdoret si “gur” i mazhorancës ndaj SPAK.
Kjo nisur nga pretendimet e fundit të forcës qeverisëse, e madje vetë kryeministrit Edi Rama, se ka raste kur Prokuroria e Posaçme nuk zbaton standardet demokratike europiane. Ferhati shtoi se hetimi ndaj gjyqtarëve ka nisur me disa informacione të bëra publike në media.
“Është pak e çuditshme që të vijosh me veprime proaktive, ndërkohë që nuk rezulton që emri i zotit Gent Ibrahimi të ketë qenë pjesë e procedimit penal të regjistruar. Hetimi ka nisur vetëm me disa informacione të bëra publike në media dhe kjo i konvenon pretendimeve të fundit të mazhorancës”, u shpreh ai.
Kujtojmë se edhe mbrëmjen e së Martës, gazetari Flamur Vezaj tha se anëtarët e Kushtetueses janë përgjuar nga oficerët e policisë pranë SPAK për 15 ditë. Kjo për shkak se ishte vonuar zbardhja e vendimit të kësaj Gjykate lidhur me rrëzimin e kërkesës së Pëllumb Gjokës, duke legjitimuar bisedat Sky ECC si prova në gjykatë.