Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ u njoh të mërkurën më 5 mars me konkluzionet përfundimtare në çështjen disiplinore të filluar ndaj gjyqtares së Shkodrës, Arta Llazari. Përfaqësuesit e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD u qëndruan kërkimeve për shkarkimin e gjyqtares Llazari për shkelje shumë të rënda, ndërsa subjekti paraqiti mbrojtjen dhe kundërshtitë e saj.
Gjatë hetimit ILD ka konstatuar shumë raste kur nga moneti regjistrimit të çështjeve dhe caktimi i tyre gjyqtares Llazari, nuk janë kryer veprime për një periudhë prej rreth mbi 3 vite. Sipas ILD, veprimet e magjistrates janë kryer të paktën me pakujdesi në formë neglizhencës që ka qenë e përsëritur dhe e vazhdueshme, ku në disa raste kanë shkaktuar dëm në procedurat hetimore.
Gjyqtarja Llazari pretendoi se ka pasur ngarkesë të lartë në punë. Po ashtu, ajo parashtroi se kishte paraqitur para seancës prova të reja duke pretenduar se mbështesin parashtrimet e saj.
KLGJ mori kohë deri më datë 2 prill për shpalljen e vendimarrjes, duke vërejtur se materialet e depozituara nga palët janë voluminoze.
Gjyqtarja Arta Llazari u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 13 shkurt 2023, ndërsa dy çështje të gjykuara prej saj u dërguan për verifikime të mëtejshme pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë seancës dëgjimore ajo dha
shpjegime për burimet që kishin shërbyer për krijimin e pasurive të saj dhe të prindërve me të cilët jeton, si dhe për transaksione të disa vlerave monetare nga prindërit, për të cilat deklaroi se i përkisnin vëllait.
Arta Llazari përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe e ushtron funksionin prej më shumë se dy dekadash në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ajo ka punuar edhe si këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese.