GJKKO dënon me 3 vite burgim ishgjyqtarin burgim Ilir Pashajn për korrupsion e fshehje e pasurisë

3 Min Read

Për shkak të gjykimit të shkurtuar do i ulet një e treta e dënimit dhe përfundimisht do vuajë në një qeli burgu të sigurisë së zakonshme 3 vjet dhe 4 muaj izolim.

Vendimi është dhënë ditën e sotme (5 mars), teksa hetimet kishin nisur prej vitit 2020 dhe u konkluduan vitin e kaluar nga SPAK, kur dhe dosja u dërgua për proces gjyqësor. Vendimi u dha nga një trupë gjykuese e përbërë nga Bib Ndreca, Paulin Çera dhe Artan Jahollari.

Pashaj u dënua me 3 vite burg për “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve, dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, me 3 muaj burgim për “refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe me 5 vite burgim për veprën “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në aplikim të bashkimit të dënimeve u dhanë në total 5 vite izolim dhe duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, u ul një e treta dhe përfundimisht u la në 3 vite dhe 4 muaj izolim.

Gjithashtu u vendos në lidhje me këtë çështje konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit të pasurisë së paluajtshme të llojit apartament dhe autoveturë të markës “Mercedes Benz”, Model E200CDI, që ishin sekuestruar nga SPAK gjatë procesit hetimor.

Dorëheqja para Vettingut, arrestimi dhe dënimi si avokat dhe gjyqi i dytë në GJKKO

Sipas njoftimit për mediat të SPAK, Pashaj ka konsumuar të paktën një herë veprën penale të korrupsionit gjatë kohës që ushtronte detyrën e gjyqtarit, ndërsa akuzohet se pasuritë e përfituara nuk i ka deklaruar në përputhje me ligjin, por i ka fshehur në emër të familjarëve të tij.

“I pandehuri Ilir Pashaj është kujdesur që përfitimet e parrregullta të përfituara për shkak të detyrës së tij si gjyqtar t‘i maskojë në emër të të tjerëve (vjehrrit dhe kunatit), duke fshehur pronarin dhe burimin e vërtetë të këtyre pasurive…,” thuhej në njoftimin e SPAK.

Ilir Pashaj është një nga gjyqtarët që u largua me dorëheqje në vitin 2017 nga sistemi i drejtësisë, përpara se të niste procesi i vetingut.

Ai punoi më pas si avokat, por në korrik të vitit 2022 u arrestua si i impikuar në një çështje korrupsioni që përfshiu edhe gjyqtaren Zamira Vyshka.

Në janar 2024, Pashaj u dënua me vendim të formës së prerë me 1.4 vjet burg për veprën penale të korrupsionit aktiv, dënim i cili u shlye me kohën e paraburgimit. Ai u përball për herë të dytë me Gjykatën e Posaçme, lidhur me akuzat e reja të ngritura nga Prokuroria.

Share This Article
Leave a Comment