Trump pezullon ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes me Zelenskyn

4 Min Read

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pezulloi gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën, pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar në Zyrën Ovale.

“Ne po e ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën tonë, për t’u siguruar se ajo i kontribuon zgjidhjes”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti.

Çdo ndalesë e armëve amerikane për luftëtarët në vijën e parë të frontit do t’i dobësonte me shpejtësi kapacitetet e tyre për të mposhtur pushtimin rus.

Demokratët e dënuan menjëherë vendimin, duke e cilësuar si të rrezikshëm dhe të paligjshëm.

“Kolegët e mi republikanë, të cilët e kanë quajtur [presidentin rus, Vladimir] Putin kriminel lufte dhe kanë premtuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, duhet të bashkohen me mua dhe të kërkojnë që presidenti Trump të heqë dorë nga kjo ngrirje katastrofike dhe e paligjshme”, tha përfaqësuesi demokrat, Gregory Meeks.

Shtetet e Bashkuara, më herët, bënë trysni mbi Zelenskyn për t’u pajtuar me thirrjen e Uashingtonit për një marrëveshje që do t’u jepte fund luftimeve në Ukrainë, ndërkohë që udhëheqësit evropianë kërkuan një rol më të fortë në këtë qëllim.

Trump tha se durimi i tij është drejt fundit dhe kritikoi rezistencën e Zelenskyt ndaj perspektivës së një armëpushimi të shpejtë, pa garanci konkrete të sigurisë, që Kievi i kërkon nga Shtetet e Bashkuara.

Më 3 mars, Zelensky u citua të ketë thënë se fundi i luftës është “shumë, shumë larg”.

Trump shkroi në rrjetet sociale se “kjo është deklarata më e keqe që mund të ishte bërë nga Zelensky” dhe se “Amerika nuk do ta durojë për shumë kohë të gjatë”.

Ai shtoi se Zelensky “nuk do që të ketë paqe për aq kohë sa ka mbështetjen e Amerikës”.

Në atë takim, Trump dhe zëvendësi i tij, JD Vance, e qortuan ashpër Zelenskyn para gazetarëve.

Që nga ajo ditë, zyrtarët amerikanë i bënë thirrje Zelenskyt të kërkojë falje.

“Ajo që ne duhet të dëgjojmë nga presidenti Zelensky, është se ai ndihet i penduar për atë që ndodhi, se është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen për mineralet dhe se është gati të angazhohet në bisedimet për paqe”, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, për Fox News më 3 mars.

Zelensky “duhet të jetë më mirënjohës, sepse ky vend i ka qëndruar pranë”, u tha më vonë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

I pyetur nëse marrëveshja e mineraleve ka vdekur, Trump tha: “Jo, nuk mendoj kështu”.

Vance tha në një intervistë të transmetuar më 3 mars se, pavarësisht takimit të diskutueshëm në Zyrën Ovale, dera për ukrainasit mbetet e hapur.

“Kur ata të jenë të gatshëm të flasin për paqe, mendoj se presidenti Trump do të jetë personi i parë që do ta marrë telefonin”, tha Vance për Fox News./ REL

Share This Article
Leave a Comment