Sipas tij, SPAK ka respektuar rregullat formale, pasi përgjimet mund të bëhen vetëm me miratimin e prokurorit, ndërsa në ambiente private mund të merret autorizimi nga gjykata. Beci gjithashtu përmendi se, për sa kohë ka pasur dyshime për korrupsion, veprimet e SPAK janë të justifikueshme.
Ai vuri në dukje se SPAK ka zbatuar në mënyrë rigoroze procedurat për nisjen e hetimeve dhe e cilësoi prokurorinë si “super Prokurori”, megjithatë theksoi se problemi qëndron te ndërtimi i legjislacionit dhe reforma që e ka shoqëruar atë.
“SPAK ka kryer hetim pro aktiv, teksa prokuroria po përpiqet që të ketë prova, nga subjekte që mund të jenë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. SPAK besoj se ka pasur indicie për përgjimet. Nga ana formale, SPAK nuk ka shkelur kodin e procedurës penale. Përgjimet publike bëhen vetëm me miratimin e prokurorit. Në ambiente private, autorizimi mund të merret nga gjykata.
SPAK është në rregull nga pikëpamja proceduriale. Ka informacion se mund të ketë korrupsion për një çështje të caktuar dhe në këto procedura është në rregull. Prokuroria e Posaçme ka zbatuar në mënyrë rigoroze formën sesi nis një procedim. Kemi edhe një super Prokurori, e pabalancuar në atë fuqi që duhet të ketë çdo pushtet në vetvete. Problemi është tek mënyra sesi është ndërtuar legjislacioni dhe reforma”, tha Beci.