Zgjedhjet e 11 majit po afrojnë, teksa janë shpallur 3 koalicione zgjedhore dhe sot (4 mars) mbaron afati për regjistrimet e Diasporës në KQZ.
PD ka falur 8 mandate deputetësh të sigurta për aleatët e koalicionit opozitar, mes tyre 4 për Partinë e Lirisë. Por edhe çështje të tjera të politikës së ditës dhe drejtësisë, u trajtuan në panelin e “Repolitix”, ku të ftuar kanë qenë ish-deputeti Halit Valteri, gazetari Flogert Muça, avokati Përparim Çaça, dhe deputeti Rezart Kthupi i ‘Djathtas 1912’.
A lirohet Ilir Meta nëse fiton mandatin e deputetit? Kur ndodh kjo, pasi shpallet vendimi nga KQZ, apo duhet të betohet një herë në Parlament në shtator 2025 para se të lirohet, ku kalon në benefitet e deputetit që gëzon edhe imunitet, precedenti Azgan Haklaj.
Madje mandati i sigurt në listën e deputetëve të PD-së i është dhënë për qëllimin që të lirohet nga qelia, sipas mendimeve të të ftuarve në studio.
“Kur bën betimin quhet deputet, pra deri në shtator. Përndryshe mbetemi të zgjedhjet. Nëse zgjidhet deputet, topi i kalon SPAK, sepse kërkohet autorizim Kuvendi për të mbajtur me masë shtrënguese një deputet”, tha avokati Përparim Çaça.
Kurse deputeti Rezart Kthupi ndan mendim tjetër:
“Mandati i deputetit jepet nga KQZ, pra ti e fiton mandatin kur KQZ merr vendim dhe shpall mandatin. Në këtë moment ti merr të drejtat që rrjedhin nga ligji dhe Kuvendi. Meta del menjëherë sa të shpallet vendimi. Azgan Haklaj doli direkt nga burgu sa u shpall deputet”.
Por ish-deputeti Halit Valteri u shpreh se Kushtetuta e thotë qartë, se nëse nuk betohet në Kuvend, nuk mund të lirohet.
“Ai duhet të bëjë betimin që ta gëzojë këtë mandat. Duhet të betohesh që të jesh i vlefshëm. Javën e parë të shtatorit mbetet. Ilir Meta, pavarësisht se i ka dhënë mandatin e sigurt aleati i tij Sali Berisha, nuk del dot nga burgu pa u betuar në Parlament. Ortakëria Meta-Berisha mund të bëjë çdo lloj loje politike, makinacioni dhe manovre në favor të tyre”, u shpreh ai në Report Tv.
Edhe gazetari Flogert Muça mendon se pa u betuar në Kuvend, kreu i PL-së nuk mund të lirohet.
“Ai duhet të betohet në Kuvend që ta marrë mandatin e deputetit dhe pastaj mund të lirohet nga burgu. Ai është arrestuar kur nuk ishte deputet dhe duhet që të betohet për t’u liruar. Duhet sqaruar se për pak u gëzova edhe unë që do i pushohen çështjet. Do ishte vetëvrasje nëse SPAK do veprojë në mënyrën që të tërhiqet dhe të tregohet dashamirës ndaj Metës për ta lejuar lirimin para kohe. Ilir Meta ndaj u fut në listat e mbyllura, po ta dinte se fitonte votat vetë do futej te listat e hapura”, thotë ai.