Panairi më i madh global i turizmit, ITB, ngriti të hënën siparin, duke pasur Shqipërinë si përfaqësuese nderi. Mes 190 vendeve pjesëmarrëse dhe 5.600 ekspozuesve, Shqipëria prezantohet nën sloganin “All Senses” (“të gjitha shqisat”) nga data 4 deri më 6 mars.
Përfaqësuesi i ITB Berlin, organizues i panairit, Mario Tobias u shpreh se ndihet krenar për partneritetin me Shqipërinë. Mesazhi i parapriu shfaqjes muzikore të rezervuar nga grupi shqiptar “Shkodra Elektronike”, fituesit e Festivalit 63 të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e nisi me përkufizimin e termit “Albanity”, që në gjuhën angleze tingëllon me fjalët Shqipëri dhe mikpritje, por ai tha se ky është realisht thelbi i shqiptarëve.
“A keni dëgjuar ndonjëherë për ndonjë ligj që deklaron se shtëpitë tona i përkasin Zotit. Një ligj i tillë është shkruar në Shqipërinë mesjetare dhe është bërë tashmë pjesë përbërëse e mënyrës së jetesës sonë. është thelbi i asaj çka ne e quajmë “Albanity”, në anglisht duke si një shkrirje harmonike e Shqipërisë dhe mikpritjes, por në shqip do të thotë të bësh të pamundurën për të nderuar emrin, shtëpinë e mikun. Kulmi i mikpritjes shqiptare u dëshmua gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria mbrojti miqtë e saj hebrenj duke u bërë i vetmi vend në Europë, që pati më shumë hebrenj pas luftës se para saj. Ne kemi qenë dhe jemi ende një vend myslimanësh, të krishterësh ortodoksë e katolikësh. Megjithatë kur u përballëm me zgjedhjen midis hebrenjve dhe djallit, paraardhësit tanë qëndruan fort krah hebrenjve, duke refuzuar që të dorëzonin qoftë edhe një frymë të vetme.
Kush troket në derë të shtëpisë së shqiptarit e bën këtë me vullnet të Zotit. Duke hapur dyert ne mirëpresim një mik që trajtohet si perëndi. Kështu që nëse doni të ndiheni se si është një perëndi, ejani në Shqipëri. Dhe nëse doni të takoni drejtues taksish që sillen si perëndi, shkoni në Greqi,” u shpreh z. Rama.
Panairi i turizmit në Berlin ka një histori të gjatë, e cila daton nga viti 1966. Kryeministri u kthye pas në kohë për të bërë dallimin mes sektorit atëherë dhe sa shumë ka avancuar turizmi sot në vend.
Vitin e kaluar, shifrat zyrtare flasin për gati 12 milionë turistë të huaj, që vizituan Shqipërinë. Shefi i qeverisë deklaroi se ambiciet janë për më shumë vizitorë këtë vit.
Shqipëria është një yll në ngjitje që po ngërthen vëmendjen e botës. Me një kombinim të përsosur përballueshmërie, peizazhesh mahnitëse, Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet më të nxehta turistike të botës dhe ky është vetëm fillimi, sepse presim me padurim të kemi një të ardhme më të shndritshme ekonomike, një rritje të qëndrueshme që do të formësohet jo vetëm duke qenë destinacion tërheqës turistik, por edhe nga roli ynë si model për turizmin miqësor, ekologjik dhe eksperiencat luksoze,” theksoi Rama.