Zbulohet kamera që regjistroi zgjedhjet e fundit në PS |

2 Min Read

Nga Lutfi Dervishi

Një relike historike është zbuluar sot nga arkeologët politikë të Shqipërisë! Pas gërmimeve të thella në arkivat e demokracisë së brendshme, është gjetur kamera që regjistroi për herë të fundit zgjedhjet në P. S.

Ekspertët besojnë se kjo është prova e vetme që dikur ka ekzistuar një proces votimi brenda kësaj force politike.

Kamera, e markës Nikon, por me një shtresë ndryshku që mund të jetë më e lashtë se vetë pluralizmi, besohet të jetë përdorur për të fiksuar në celuloid atë moment të rrallë kur në PS pati një garë të vërtetë.

Data e saktë nuk mund të përcaktohet, pasi historianët po debatojnë nëse zgjedhjet e fundit ishin në shekullin e kaluar apo thjesht një legjendë urbane e përcjellë gojë më gojë, brez pas brezi.

Dëshmitarët historikë (të cilët preferojnë të mbeten anonimë, sepse po presin bonusin pranveror) tregojnë se dikur në këtë parti ekzistonte një koncept i çuditshëm i quajtur “zgjedhje”, por ai u zhduk në mënyrë misterioze, rreth të njëjtës kohë kur fjalët “konkurrencë”, “garë”, llogaridhënie u shpallën arkaike.

Burime të afërta me partinë thonë se kamerën e kanë nxjerrë nga një bodrum ku ruheshin edhe protokollet e vjetra të demokracisë së brendshme. “Ne e ruajtëm si kujtim,” tha një burim anonim. “Ishte një kohë kur njerëzit mendonin se mund të votonin për më shumë se një kandidat. Kohë naivësh!”

Ndërkohë, kameramanët e Rilindjes kanë konfirmuar se pajisja është tashmë muzeale.

“Ne sot kemi teknologji shumë më të avancuar,” tha një teknik i afërt me qeverinë.

“Sot nuk kemi nevojë për kamera që filmojnë zgjedhje ne kemi kamera që transmetojnë vetëm sukseset e liderit në kohë reale.

Sipas ekspertëve, mundësia e fundit për të parë zgjedhje të hapura në PS është e krahasueshme me mundësinë që kjo kamerë të ndizet përsëri, e pamundur, por gjithmonë një histori interesante për brezat e ardhshëm.
——-
Ky është aparati që ka bërë fotot, herën e fundit kur janë zhvilluar zgjedhjet në PS!

Share This Article
Leave a Comment