Rama konfirmon ndarjen nga Veliaj, ultimatum deputetëve socialstë: Lini mandatin nëse doni të mbroni kryebashkiakun!

2 Min Read

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dërguar një mesazh në grupin Whatsapp të skuadrës së deputetëve të Tiranës në lidhje me deklaratat e tyre për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe qëndrimet e tyre ndaj SPAK. Mesazhi i Ramës i publikuar nga Top Channel, kërkon qëndrim pa ekuivokë të deputetëve të PS, lidhur më pavarësinë e drejtësisë, kryesisht SPAK-un. Ky mesazh i Ramës ka ardhur pas një interviste të deputetit Etjen Xhafaj në një studio televizive.

“Jam pa fjalë! E paimagjinueshme se si një deputet i Partisë Socialiste mund të flasë si në kafene, si tifoz, duke bërë një avokati banale që për më tepër s’ndihmon askënd hiç fare, ndërkohë që s’ka asnjë lidhje me qëndrimin tonë parimor për paraburgimin pa gjyq të kryebashkiakut të kryeqytetit! A është i pafajshëm a i fajshëm Erioni apo kushdo tjetër, këtë s’ia ka ngarkuar askush as PS, as mua e as Etienit natyrisht, që ta thotë në mexhelis,” shkroi ai.

Rama më tej në mesazh ka theksuar se ata deputetë socialistë që duan te merret me avokati publike, le ta lenë mandatin dhe le te thonë ç’të duan pastaj ne çdo cep te kënetës mediatike. Ai më tej u ka kërkuar që të merren çdo moment me detyrat për zgjedhjet e 11 Majit. 

“Nuk dua të dëgjoj më asnjë prononcim që cenon pavarësinë e SPAK-ut, lidhur me rastin a me rastet konkrete, me përmbajtjen e akuzave a me pretendimet e të akuzuarve! STOP! Mbështetja jonë për SPAK-un, mbetet e palëkundur dhe kritikat tona parimore të mundshme, nuk janë as me kohë e pa kohë, as pune e kujt t’i teket nga deputetët ose përfaqësuesit e tjerë të PS! Kështu që fokusohuni tek detyrat tuaja, ku nuk hyn gjëkundi muhabeti i kafenesë për drejtësinë,” shkruan ai. Rama i kërkon Elisa Spiropalit ta përcjellë këtë mesazh edhe tek grupi i deputetë të qarqeve të tjera të vendit.

Share This Article
Leave a Comment