TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë në seancë plenare dhe të shqyrtojë në bazë dokumentesh kërkesën e ish-administratorit të DIA-s, Kastriot Ismailaj që kërkon shfuqizimin e të gjitha vendimeve që e deklaruan fajtor dhe e dënuan me 11 vite burgim. Ismailaj kërkon shpalljen si jo kushtetues dënimin e tij me 11 vite burg si edhe konfiskimin e 3.2 milionë dollarëve dhe gati 450 mijë eurove të konsideruara si të ardhura nga pastrimi i parave në aferën e CEZ-DIA.
Ai u dënua me akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda. Prokuroria e Posaçme ka renditur dyshime edhe ndaj presidentit të PL-së, Ilir Meta që në cilësinë e ish-ministrit të ekonomisë pretendohet se ka ndikuar në lidhjen e kontratës mes DIA dhe CEZ shpërndarje për identifikimin dhe mbledhjen e borxheve të prapambetura. SPAK thotë se gjatë kësaj kohe Meta ka pranuar favore nga administrator I DIAS, Ismailaj një version ky që kundërshtohet nga ish funksionari.
Kastriot Ismailaj u arrestua më 12 Maj 2015 nga Sektori i Pastrimit te Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar për mashtrim me shuma të mëdha parash. Kastriot Ismailaj u akuzua për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë, por sipas akuzës, i dënuari duke falsifikuar dokumentat arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë Euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer.