Udhëheqësit evropianë mbështesin Zelenskyn pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë

3 Min Read

Aleatët evropianë të Ukrainës, që pritet të mblidhen në Londër të dielën, janë bashkuar në mbështetje të presidentit Volodymyr Zelensky, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u përplas me të gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë dhe tha se ai mund të kthehej në Uashington kur ishte i gatshëm për paqe me Rusinë.

Të tronditur nga përplasja publike në Zyrën Ovale, pas së cilës Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pa e nënshkruar një marrëveshje për minerale me Uashingtonin, bëri që udhëheqësit evropianë t’i dilnin në mbrojtje udhëheqësit ukrainas.

“Nuk je vetëm”, tha kryeministri polak, Donald Tusk.

Kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili ishte në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, tha se ka biseduar me Trumpin dhe Zelenskyn dhe u zotua për “mbështetje të palëkundur” për Kievin.

Zelensky iu ka kthyer përgjigje individualisht mesazheve në X të më shumë se 30 udhëheqësve evropianë, duke iu shkruar “faleminderit për mbështetjen tuaj”.

Starmer dhe Zelensky do të takohen të shtunën, ndërkaq të dielën në Londër kryeministri britanik do të jetë mikpritës i dhjetëra përfaqësuesve të shteteve evropiane.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se është i gatshëm për bisedime për një parandalim bërthamor në të ardhmen, pas kërkesës së bërë nga fituesi i zgjedhjeve në Gjermani, Friedrich Merz, që pritet të bëhet kancelar. Merz ka thënë se kontinenti duhet të arrijë shpejt “pavarësi” nga Shtetet e Bashkuara sa u përket çështjeve të mbrojtjes.

Trump ka tronditur Evropën kur ai kontaktoi presidentin rus, Vladimir Putin, me synim që të arrihet marrëveshje për luftën në Ukrainë, që Moska e ka nisur tre vjet më parë.

Ndryshimi i papritur i politikës së Trumpit karshi Ukrainës ka lëkundur aleancën transatlantike.

Gjatë takimit të premten në Shtëpinë e Bardhë, në prani të mediave Trump dhe nënpresidenti i tij, JD Vance këmbyen fjalë të ashpra me Zelenskyn.

Trump tha se Zelensky nuk po tregohej mirënjohës, duke shtuar se po luante “bixhoz me jetën e miliona njerëzve”.

“Po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore, dhe kjo që po bëni është shumë pa respekt ndaj shtetit që ju ka mbështetur shumë më shumë sesa njerëzit e thonë”.

Mediat amerikane kanë raportuar se zyrtarët e Trumpit i kanë kërkuar Zelenskyt që të largohet nga Shtëpia e Bardhë pas kësaj përplasjeje publike.

Moska tha se udhëtimi i Zelenskyt në Uashington ishte një “dështim total”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Zelensky është i “fiksuar” me prolongimin e luftës, teksa shtoi se qëllimet e Moskës ishin “demilitarizimi” i Ukrainës dhe aneksimi i të gjitha territoreve që aktualisht janë të pushtuara nga Rusia./REL

Share This Article
Leave a Comment