Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, CENTCOM, e ngarkuar për forcat amerikane në Lindjen e Mesme, tha përmes një deklarate se më 23 shkurt, forcat e saj “ndërmorën një sulm ajror me saktësi të lartë në pjesën veriperëndimore të Sirisë, duke vënë në objektiv dhe eliminuar Muhammed Yusuf Ziya Talay, udhëheqës i lartë ushtarak i organizatës terroriste Hurras alDin”.
“Siç kemi thënë në të kaluarën, ne do të vazhdojmë t’i gjurmojmë pa pushim këta terroristë për të mbrojtur atdheun tonë dhe personelin e aleatëve dhe partnerëve amerikanë në rajon”, tha Gjenerali Michael Erik Kurilla, shef i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, CENTCOM.
Më 22 shkurt, ushtria amerikane tha se përmes një sulmi ajror kishte eliminuar Wasim Tahsin Bayraqdar, një udhëheqës i grupit të klasifikuar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Forcat amerikane ndodhen në Siri si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar të krijuar në vitin 2014 për të luftuar xhihadistët e grupit të vetëquajtur Shteti Islamik.