Operacioni SPAK/ 3 shefa policie bien në pranga, zbërthimi i Sky Ecc zbuloi përfshirjen e tyre në grupe kriminale

2 Min Read

Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit kanë realizuar një operacion të gjerë, duke goditur disa grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës. Gjatë operacionit, janë lëshuar rreth 10 masa sigurie të firmosura nga Gjykata e Posaçme e Krimeve të Rënda (GJKKO), pas kërkesës së SPAK. Operacioni ka prekur disa qytete të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Kukësin, Fierin, Vlorën, Gjirokastrën dhe Sarandën.

Burimet bëjnë të ditur se 4 nga masat e sigurisë janë për oficerë të policisë. Gjatë aksionit, janë arrestuar 3 efektivë policie, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim.

Një prej të arrestuarve është Shkëlzen Ruska, shef i Krimeve në Himarë, i cili akuzohet për kultivim kanabisi, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar, shpërdorim detyre dhe veprime të tjera të kryera nga organizata kriminale. Po ashtu, është arrestuar edhe Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, i cili përballet me të njëjtat akuza si dhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë publikë.

Në këtë operacion është shpallur në kërkim Elvis Dërvishi, shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, i cili akuzohet për “trafikim narkotikësh”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorim detyre”.

Erdit Hazizaj, i katërti person i arrestuar, ishte larguar nga policia në vitin 2022. Ai akuzohet për trafik droge, kultivim bimësh narkotike, dhe përfshirje në grupe kriminale.

Hetimet e SPAK kanë filluar prej kohësh për këta efektivë, pasi janë zbuluar lidhjet e tyre me bandat kriminale nëpërmjet aplikacioneve të koduara, si Sky ECC, ku rezulton se ata ishin të përfshirë në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikët dhe veprime të tjera të paligjshme.

Share This Article
Leave a Comment