Elbasani fiton ndeshjen më të rëndësishme, atë kundër Partizanit të vendit të katërt, i fundit i Final 4, duke ngushtuar tashmë pikët që ndajnë dy skuadrat në 6. Musta shënon dy herë, duke u hakmarrë ndaj ish-skuadrës së tij, në javën e 27-të. Vendimtar për skuadrën e Ivan Gvozdenovic u bë VAR, që thërriti dy herë arbitrin Koçi për të akorduar penalltitë e shndërruara në gol nga Musta në “Elbasan Arena”.
Pasi Tsague, Joel e Pastrelau provuan të ishin të rrezikshëm në një pjesë të parë ku më shumë se raste pati intensitet e ritëm, momenti vendimtar erdhi në minutën e 34′. Sembene rrëzon përtokë Joel e arbitri vazhdoi lojën, por u thirr nga VAR dhe pas rishikimit tregoi pikën e bardhë. Musta nuk gaboi dhe Elbasani kaloi në avantazh, duke thjeshtuar detyrën e vendasve.
Partizani e nisi lojën me energji për të ndryshuar fatet e ndeshjes, në ndeshjen e parë të Abilaliaj në kampionat (debutoi në kupë me fitoren kundër Laçit). Elbasani priti momentin dhe e spostoi sërisht lojën në gjysëmfushën kundërshtare. Nën presion të kuqtë futën edhe më shumë në telashe me përjashtimin e Mehmetit. Në minutën e 72′ mesfushori ndëshkohet me të verdhën e dytë dhe lë kryeqytetasit me 10 lojtarë. “Elbasani nuk kishte ardhur asnjëherë në portën tonë deri në momentin e penalltisë. Arbitri nuk ishte në lartësinë e kësaj ndeshjeje duke e parë për nga rëndësia. Ishte një ndeshje e rëndësishme, luajmë sërish për tre ditë, duhet të analizojmë gabimet tona”, tha tekniku i Partizanit Abilaliaj.
Lexo më tej: Video/ Laçi hedh dy gola në kosh, tërbohet Moriero: Vllaznia shpëton në pjesën e dytë
Abilaliaj bën të debutojë edhe Eleke, por Joel ja bën edhe njëherë jetën të vështirë Sembene, që shkakton penalltinë e dytë. Edhe këtë herë Koçi nuk pa asgjë, por VAR e thirri dhe arbitri ndryshoi vendimin e fushës. Musta pastaj vulosi rezultatin 2-0 në minutën e 88′. “Forcat ishin të barabarta në fushë edhe në fund patëm shanc të barazonim, por nuk kishim shumë fat – vazhdoi Abilaliaj -. Nuk e kuptova pjesën e faullit të parë të Mehmetit, as kartonin e dytë të verdhë. Nëqoftë se Elbasani nuk do të kishte asnjë penallti, nuk mendoj se do kishte shanse të ishte në portën tonë”.
Tashmë Partizani ndihet i rrezikuar në zonën e “Final Four”. “Demat” mbajnë vendin e katërt, teksa Elbasani e ndjek me 6 pikë më pak, por tani me fatin me vete, si deklaron me humor Gvozdenovic. “Erdhi edhe fati për ne, mund të bëj pak shaka sepse ndërrova dhe çorapet, xhupin. Kishim nevojë për këto tre pikë dhe ishin të nevojshme për ne. Me pikët tashmë jemi më mirë, por tani ka filluar lufta. Çdo pikë tashmë ka shumë vlerë, edhe një pikë edhe tre pikë”.