Përfundon në barazim 1-1 përballja e shumëpritur për titull mes Napolit dhe Inter. Zikaltërit kaluan në avantazh në minutën e 22′ falë një goli spektakolar nga goditja e dënimit nga Dimarco, por më pas pësuan rënie të dukshme në pjesën e dytë. E pas një periudhe të gjatë vuajtjeje u ndëshkuan nga goli i Billing në minutën e 87′. Ky gol i shmangu Contes humbjen e dytë radhazi dhe nuk e lejoi Inzaghin të shkëputej në krye të renditjes. Interi mbetet në vendin e parë me +1 pikë, por gara për titullin është më e hapur se kurrë.
Sikurse ndeshja e parë mes tyre, edhe kjo përfundoi 1-1, duke shtyrë çdo diskutim mbi fatin e kampionatit. Billing pati një debutim ëndrrash në “Maradona”, duke rikthyer baraspeshën në minutën e 87-të, pas avantazhit të Dimarcos në pjesën e parë. Renditja mbetet e njëjtë: Interi kryeson, por me vetëm një pikë më shumë se Napoli.
Dimarco thyen mallkimin e goditjeve të dënimit në “Maradona”
Një goditje perfekte: barriera e tejkaluar, trajektoria ideale dhe topi që ndalet në trekëndësh. Goli i Dimarcos nga goditja e dënimit ishte një kryevepër teknike, e cila jo vetëm i dha përkohësisht avantazhin Interit, por gjithashtu hyri në histori. Që kur stadiumi i Napolit mori emrin e Diego Armando Maradonës, asnjë lojtar nuk kishte shënuar me një goditje të dënimit me të majtën. Deri më sot. Kjo ishte një “perlë në stilin e Maradonës” nga anësori zikaltër. I fundit që e kishte realizuar një goditje të tillë ishte Arkadiusz Milik më 20 janar 2019, në një ndeshje kundër Lazios, kur stadiumi ende quhej “San Paolo”.
Dëmtimi i Calhanoglu, asnjë minutë për Asllanin
Vetëm pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Simone Inzaghi u detyrua të bënte dy zëvendësime të detyruara: Dimarco dhe Calhanoglu u larguan nga fusha për shkak të dëmtimeve. Mesfushori turk pësoi një goditje në kofshën e djathtë, ndërsa Dimarco u dëmtua në muskujt e pasmë të kofshës së djathtë. Gjendja e tyre do të vlerësohet në ditët në vijim. Ndërkohë, Kristjan Asllani nuk u aktivizua asnjë minutë në këtë përballje.
Polemikat mbi episodin e diskutueshëm në zonë
Një episod në pjesën e parë shkaktoi polemika të shumta në rrjetet sociale, me tifozët e Napolit që protestuan për një 11-metërsh të paakorduar. Pas një goditjeje nga Spinazzola jashtë zone, Dumfries bllokoi topin me krahun. Arbitri nuk ndërhyri dhe as VAR-i nuk sinjalizoi ndonjë shkelje, pasi u konsiderua se dora e mbrojtësit të Inter ishte pranë trupit dhe nuk zmadhonte vëllimin e tij. Topi, në çdo rast, besohet se ka prekur gjoksin ose trupin e lojtarit.