Kërkojmë shtyrjen e afatit të regjistrimit të diasporës dhe njohjen e dokumenteve të skaduara edhe në Shqipëri

3 Min Read

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për shtyp, kërkoi ‘shtyrjen e afatit të regjistrimit të diasporës dhe njohjen e dokumenteve të skaduara edhe në Shqipëri’.

‘Pra, ky akt i votuar vetëm 5 ditë para skadimit të afatit të regjistrimit, de facto e bën të pazbatueshëm në kuptimin që edhe njoftimi për miratimin e këtij akti është një njoftim shumë i mangët. Ndaj dhe kërkoj shtyrjen e afatit të regjistrimit. Dhe së fundmi kërkoj, dhe do dërgoj në Gjykatë Kushtetuese, respektimin e barazisë së shtetasve shqiptarë kudo që janë. Vlefshmërinë e dokumenteve të skaduara si për qytetarët në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit’, tha kreu i PD.

Berisha u shpreh se Shqipëria madhështore sipas tij, mund të realizohet vetëm falë angazhimit të diasporës që jeton jashtë vendit dhe kjo do të ndodhë pas 11 majit.

Lideri i opozitës shqiptare tha se, ‘Ai (Rama) ka gjetur një mënyrë për të mos u ballafaquar me gazetarët, i bën pyetje vetes dhe thotë po m’i bëjnë shikuesit’. ‘Dhe përpiqet të bëjë tualetin e tij për të gjithë të zezat që ka bërë’. Kryedemokrati thotë se edhe pse prej një muaji I zhdukur, për Ëngjëll Agaçin nuk japin asnjë informacion apo të dhënë për të, veçse fotografitë që vijnë nga kafenetë e Romës.

Në konferencën me gazetarët, Berisha tha se fshehja e sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë, është një akt i turpshëm ndaj shqiptarëve. Sipas tij, me qëndrimin që mban Edi Rama ndaj të vërtetës së zhdukjes së Agaçit, ngre dyshime të mëdha.

Kryetari i PD Sali Berisha tha  se negociatat me forcat politike janë në vazhdim. ‘Një koalicion për 11 majin, është rruga e fitores’, tha ai. Kryedemokrati Sali Berisha ka dhënë garancinë e PD, se zbatimi i ligjit dhe lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbeten objektiva të pandryshueshme për partinë që drejton.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Berisha tha se nuk pranon që një institucion si SPAK, që s’ka asnjë lloj kontrolli, regjistron telefonat e gjyqtarëve ku dërgon dosjet. Berisha njoftoi se do të punohet me ekspertët më të mire, për të rivendosur standardet ndërkombëtare në funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

“11.3 kg dokumente për të, janë guri në qafë i të mbyturit’. Kështu u shpreh kreu democrat Berisha duke komentuar akuzat e shumta sipas tij për Belinda Ballukun. Kryetari i PD tha se në përballjen me të, kreysocialisti Edi Rama sa herë ka bërë fushatë negative ndaj tij, gjithmonë ka dalë i humbur. Në konferencën me gazetarët, Berisha tha se edhe në përballjen e 11 majit, Rama do të humbasë, pasi ai e njeh realitetin humbës të vetes.

Share This Article
Leave a Comment