Ambasadori Bergner: Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

2 Min Read

Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, mbështeti procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe integrimin e Shqipërisë, duke theksuar se vendi ka bërë hapa të mëdhenj përpara.

Gjatë një konferencë për çështjet europiane, ai vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në BE, pavarësisht sfidave dhe problematikave teknike.

“Shqipëria do jetë e mirëpritur javën e ardhshme në panairin e madh të Turizmit. Por edhe Konferenca e Gjykatës Kushtetuese që pritet të zhvillohet këtu. Janë ngjarje të rëndësishme, ku mund të bëheni pjesë. Plani i Zhvillimit në Ballkanin perëndimor është shumë i rëndësishëm dhe duhet t’i jepet shumë vëmendje. Dua të përmend edhe rolin e parlamenteve që kanë qëllim të përbashkët, anëtarësimin në BE. Jeni vende në procese të ndryshme. Gjithmonë kam mbështetur integrimin në BE të rajonit dhe Ballkanit Perëndimor, e kjo mbi bazën e meritave”, tha Bergner.

Bergner theksoi se Gjermania është e angazhuar për mbështetje të mëtejshme në këtë proces dhe theksoi rëndësinë e reformave dhe angazhimit të vazhdueshëm nga Shqipëria.

“Anëtarësimi në BE nuk ka ecur ashtu siç ishte parashikuar në Procesin e Berlinit, por kjo po vijon dhe po tregohet vullneti i madh i vendeve. Këto aktivitete tregojnë vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve. Këto janë procese komplekse teknike. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, ndaj ka edhe detyrimin për të informuar nëpërmjet Parlamentit, partive politike dhe institucioneve. Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndaj ne jemi këtu për t’ju mbështetur më tej në këtë rrugë dhe proces integrimi”, tha ndër të tjera ambasadori.

Share This Article
Leave a Comment