Analisti Andi Bushati thotë se shpallja “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj kryedemokratit Sali Berisha ishte e lobuar.
Duke folur në MCN, ai komentoi deklaratën e gazetarit investigativ Tyler O’Neil në kongresin amerikan i cili tha se ndryshimet në sistemin e drejtësisë në Shqipëri janë realizuar me mbështetje nga USAID dhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur, dhe këto ndryshime çuan në ndjekjen penale të Sali Berishës.
Bushati deklaroi se Shqipëria në kongresin amerikan po serviret si laborator eksperimental, ku paratë e USAID kanë shërbyer për shkallmimin e demokracisë. Ai shtroi pyetjen se kujt Amerike t’i besojmë, asaj që thotë se reforma në drejtësi është e mirë, apo asaj që thotë se është përdorur për të shkatërruar demokracinë dhe opozitën. Sipas Bushatit, Shqipëria duhet të pastrohet nga lobistët.
“Deklarata e gazetarit në kongres, por është dhe një ndërhyrje e dytë e bashkëkryetares së kongresit, një kongresmene e njohur republikane që thotë të njëjtën gjë, që reforma në drejtësi në Shqipëri u bë për të goditur opozitën. Mund të jesh kundër veprimeve që po ndërmerr administrata Trump dhe mund të shohësh me dyshim qasjen e Musk për të pastruar administratën.
Pyetja është pse në kongresin amerikan merret si shembull Shqipëria? Pra Shqipëria serviret si laborator eksperimental, ku paratë e USAID kanë shërbyer për shkallmimin e demokracisë, kjo është ajo që u pa dje. Ky lajm vë në pikëpyetje të madhe mënyrën si u zhvillua reforma në drejtësi dhe si është përdorur si kamxhik për të luftuar kundërshtarët politik në Shqipëri.
Kujt Amerike ti besojmë, asaj që thoshte kjo është reformë e mirë, apo kësaj që thotë se kjo është reformë për të shkatërruar demokracinë dhe opozitën. Nuk e di nëse ka qenë Soros mbrapa kësaj, por që ditën që Berisha është shpallur “non grata” e kam thënë që kjo është një “non grata” e lobuar, ishte “non grata” pa sens. Kur e thonë në Amerikë, nuk do të thotë se ata kanë të drejtë, por këtu ka diçka. Shqipëria duhet të pastrohet nga lobistët.” – tha Bushati.
Bushati shtoi se reforma në drejtësi në Shqipëri ka qenë një katastrofë e ka kthyer drejtësinë mbrapa, duke e krahasuar me atë që e quajti “drejtësinë e plepave që bëri Berisha në 1992”.