Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur sot në Kuvend shqetësimin mbi trajtimin e pabarabartë të shqiptarëve të diasporës në procesin zgjedhor.
Në fjalën e saj, Tabaku denoncoi përpjekjet e qeverisë për të përjashtuar mbi 150 mijë shqiptarë nga e drejta e votës, duke i ndarë qytetarët në të “dorës së parë” dhe “dorës së dytë”.
“Frika e qeverisë nga vota e diasporës është e qartë. Ata janë njerëz që vlerësojnë meritën dhe ndershmërinë, prandaj qeveria bën gjithçka për t’i mbajtur jashtë procesit zgjedhor,” deklaroi Tabaku.
Sipas saj, nga 237 mijë aplikime të emigrantëve, mbi 97 mijë kërkesa janë refuzuar, ndërsa 40 mijë janë përjashtuar për arsye unike, që sipas deputetes tregojnë një politikë të qëllimshme të qeverisë për të reduktuar pjesëmarrjen e diasporës.
Tabaku gjithashtu denoncoi emigracionin masiv në dekadën e fundit, duke thënë se mbi 500 mijë shqiptarë kanë lënë vendin, kryesisht drejt Gjermanisë, për të kërkuar një jetë më të mirë.
Në fund, deputetja demokrate preku edhe aferat korruptive të qeverisë, duke përmendur rastin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku disa përfaqësues të institucionit janë nën hetim nga SPAK.
“Ndërsa diaspora lufton për të drejtën e votës, këtu qeveria vazhdon të zhytet në korrupsion dhe abuzime. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes së sotme,” përfundoi Tabaku, duke i bërë thirrje mazhorancës të garantojë të drejtën e votës për të gjithë shqiptarët.