Një mbrëmje e hidhur për Juventusin. Bardhezinjtë u eliminuan nga Kupa e Italisë pas humbjes me penallti ndaj Empolit, vetëm një javë pas dështimit në Europë kundër PSV-së. Tani, e vetmja garë ku mund të fokusohen është kampionati, edhe pse diferenca prej tetë pikësh nga Interi kryesues e bën rikuperimin mjaft të vështirë. Por Thiago Motta, i zhgënjyer thellë, e ka mendjen vetëm te disfata e sotme: “Ndjej turp”, nis ai me tone të ashpra. “Bëmë një pjesë të parë për t’u turpëruar. Më vjen turp për atë që treguam në fushë dhe shpresoj që edhe lojtarët e mi të ndjejnë të njëjtën gjë.”
“Faji është i imi, nuk ua shpjegova rëndësinë e ndeshjes”
I mërzitur dhe me fytyrë të zymtë, Motta doli para mikrofonave të Sport Mediaset duke marrë përgjegjësinë për humbjen: “Fajin e kam unë që nuk ua shpjegova lojtarëve rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Është vetëm faji ynë që nuk jemi në gjysmëfinale: nuk e meritonim. Shpresoj që kritikat të jenë të forta. Tifozët ishin shumë të sjellshëm me ne, duke parë atë që dhamë në pjesën e parë. Kam gabuar unë që nuk ua bëra të qartë çfarë do të thotë të luash për Juventusin në këto ndeshje”.
Lexo më tej: Juventus dështim historik! Magjia e Thuram nuk mjafton, Empoli e eliminon me penallti
“Duhet të rifillojmë nga qëndrimi dhe përkushtimi”
Motta e ka të qartë nga duhet të nisë puna për të dalë nga kjo krizë: “Duhet të rifillojmë nga qëndrimi dhe sjellja e duhur: të japim gjithçka në fushë dhe në stërvitje, të punojmë për shokët e skuadrës dhe të respektojmë historinë e këtij klubi. Kjo është baza për të konkurruar. Nuk duhet të presim që gjërat të vijnë vetë, duhet t’i meritojmë. Ta shihja sot ekipin tim në këtë gjendje më bëri të ndjehem keq. Problemi nuk ishte as teknik dhe as taktik, por qëndrimi. Faji është vetëm i imi”.