Evropa nuk mund të zëvendësojë SHBAtë si garantuese e sigurisë së Ukrainës

7 Min Read

Friedrich Merz, i cili pritet të bëhet kancelar i Gjermanisë pasi partia e tij demokristiane fitoi zgjedhjet parlamentare të 23 shkurtit, ka thënë se Evropës mund t’i duhet të krijojë një aftësi “të pavarur” mbrojtëse, sepse Shtetet e Bashkuaera janë bërë “kryesisht indiferente” ndaj fatit të Evropës.

Përparësi kryesore e një mekanizmi të ri mbrojtës evropian do të ishte mbrojtja e Ukrainës, e cila ka hyrë në vitin e katërt të luftës kundër agresionit rus.

Vendi ka mbijetuar deri më tani kryesisht falë ndihmës së madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara, të ofruar gjatë mandatit të Presidentit Joe Biden. Presidenti i ri Donald Trump ka thënë se dëshiron t’i japë fund luftës dhe të marrë kompensim për ndihmën ushtarake të Uashingtonit, madje duke kërkuar që Ukraina t’i japë Shteteve të Bashkuara qasje në pasuritë minerale të vendit në këmbim të dhjetëra miliarda dollarëve të ndihmës ushtarake amerikane për Kievin.

Shërbimi rus i Zërit të Amerikës u kërkoi ekspertëve të vlerësojnë aftësinë e vendeve evropiane për të ndihmuar Ukrainën që të përballojë, si ushtarakisht ashtu edhe ekonomikisht, sulmin rus në shkallë të gjerë dhe që të rindërtojë infrastrukturën e saj të shkatërruar.

Andriy Zolotarev, drejtor i Qendrës Analitike Sektori i Tretë, një institut me bazë në Kiev, i tha Zërit të Amerikës se ndihma ushtarake e Shteteve të Bashkuara është jashtëzakonisht e rëndësishme për mbrojtjen e Ukrainës.

“Në veçanti, Shtetet e Bashkuara kanë rezerva të mëdha armësh, ato janë një furnizues i informacioneve jashtëzakonisht të rëndësishme të zbulimit”, tha ai. “Të gjitha vendet evropiane të marra së bashku nuk kanë numër më të madh satelitësh se Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuar kanë lloje armësh jashtëzakonisht të rëndësishme dhe vërtet të pazëvendësueshme për Ukrainën, si sistemet e mbrojtjes nga raketat Patriot, raketa me rreze të gjatë veprimi “ATACMS”, sistemin e raketave “HIMARS” si dhe pjesë këmbimi për automjete të blinduara dhe sisteme artilerie. Kjo nuk mund të nënvlerësohet në asnjë mënyrë.”

Sipas ekspertit Zolotarev, ndërsa Evropa prodhon armë të avancuara dhe pajisje të tjera ushtarake, Bashkimi Evropian së bashku me Britaninë e Madhe mund të kompensojnë vetëm pjesërisht atë që Ukraina do të humbiste nëse Shtetet e Bashkuara ndërpresin ndihmën ushtarake për Kievin.

“Përpjekjet e tyre mund të zbusin efektin negativ, por nuk do të shmangnin pasojat e rënda”, tha ai. “Kjo thjesht do të zvarriste fundin e luftës. Evropa aktualisht është larg formës më të mirë ekonomike dhe ushtarake”.

Kush do të paguajë për rindërtimin e Ukrainës?

Ekspertët besojnë se rindërtimi i Ukrainës pas përfundimit të luftës do të financohet përfundimisht nga investimet private evropiane. Sipas disa vlerësimeve, kjo mund të kushtojë nga 500 miliardë deri në 2 trilionë dollarë. Megjithatë, sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më i vështirë bëhet financimi i rindërtimit të Ukrainës. Por pyetja kryesore vazhdon të jetë ajo se kush do të paguajë për të?

“Do të ishte ideale që pala ruse të paguante për këtë”, thotë ekonomisti Alexey Bayer. “Do të duhet të ketë dëmshpërblime apo taksa që burojnë nga eksportet ruse të naftës, gazit dhe mineraleve të tjera.”

Por sipas ekspertit Bayer, nuk ka gjasa që ndonjë qeveri ruse, “qoftë edhe ajo që do të vinte pas Putinit, të pranojë t’i paguajë vullnetarisht dëmshpërblim Ukrainës”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Ndërsa pasuritë e ngrira ruse në bankat perëndimore, përfshirë dhjetëra miliardë dollarë në valutë të huaj dhe rezerva ari të mbajtura nga banka qendrore e Rusisë, mund të përdoren për të rindërtuar Ukrainën, kjo do të kërkonte shpronësimin e tyre të plotë.

Shumë ekspertë thonë se as qeveria amerikane dhe as qeveritë evropiane nuk do të ndërmerrnin një hap të tillë, pavarësisht diskutimeve të forta të këtij opsioni në shtyp.

Cliff Kupchan, kryetar i Grupit Eurazia, një kompani konsulence me bazë në Nju Jork, është dakord se Evropa nuk ka gjasa të mbështesë sekuestrimin e pasurive të ngrira ruse.

“Mendoj se evropianët do të vazhdojnë të jenë kundër idesë së thyerjes së normave ndërkombëtare për rezervat dhe kanë frikë se Rusia do të konfiskonte më pas pasuritë e qeverive perëndimore dhe pasuritë private të vendeve perëndimore”, tha ai.

Dhe ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, zyrtarë dhe ekspertë të ndryshëm perëndimorë kanë bërë thirrje për një “Plan Marshall” për rindërtimin e Ukrainës, një referencë ndaj programit masiv të ndihmës amerikane për rindërtimin e Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, eksperti Kupchan thotë se një nismë e Shteteve të Bashkuara në atë shkallë për rindërtimin e Ukrainës nuk ka gjasa të ndërmerret.

“Për momentin, Shtetet e Bashkuara jo vetëm që nuk janë të interesuara, por ato janë shprehur në mënyrë të qartë kundër kësaj ideje. Pesidenti Trump mendon se Ukraina është një shembull tjetër se si Evropa përdor paratë amerikane”.

Megjithatë, eksperti Cliff Kupchan beson se investimet evropiane për rindërtim do të rrjedhin përfundimisht në Ukrainë, veçanërisht nëse do të arrihej një armëpushim që do të përfshinte dislokimin e forcave paqeruajtëse perëndimore atje.

“Unë nuk mendoj se do të jetë aq i ngadaltë”, tha ai duke iu referuar rindërtimit të Ukrainës pas luftës. “Rindërtimi nuk do të jetë aq i shpejt nëse do të ketë një nismë të ngjashme me Planin Marshall, por ai gjithashtu nuk do të jetë tepër i ngadaltë”, theksoi eksperti Kupchan./ VOA

Share This Article
Leave a Comment