Meta i cili mbahet i arrestuar prej tetorit të vitit të kaluar, kërkoi një masë më të butë sigurie, ku një ndër argumentet e theksuara në rekurs, lidhej me pozicionin e tij si drejtues i forcës së dytë opozitare në vend dhe situatës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Edhe Kryemadhi, ndaj së cilës është marrë masa” detyrim paraqitje” ka depozituar rekurs duke e etiketuar masën të paligjshme. Megjithatë, edhe kërkesa e saj u rrëzua në Dhomë Këshillimi nga Gjykata e Lartë.
Meta pas vendimit: Do fitoj në Strasburg
Pas vendimit, në “FB’ e kreut të PL u publikua nga nje audiomesazh nga vetë Meta, i cili lë të kuptohet se e priste një vendim të tillë nga Gjykata e Lartë, që e quan të kapur politikisht nga kryeministri Edi Rama. Megjithatë ai shtoi se çështjen do e çojë në Strasburg, duke shprehur bindjen se do të fitojë.
“11 Maj, dita historike kur do të ndahemi nga narkoregjimi dhe narkodrejtësia e tij, Sot për çështjen Meta hodhëm një hap pozitiv sepse kaluam edhe një pengesë fiktive, Gjykatën e Lartë që nuk ekziston, në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Gjykatës së Strasburgut. Pa asnjë diskutim do të fitojmë ashtu siç kemi fituar edhe në Komisionin e Venecias kundër Ramaformës”, tha Meta.