Atentati para Gjykatës së Bielfield, të plagosur babai dhe vëllai i vrasësit të boksierit Besar Nimani

2 Min Read

Të tjera detaje zbardhen nga atentati me të paktën dy të plagosur para Gjykatës së Bielfield, në dukje të qartë me motivin e hakmarrjes ndaj familjarëve të të akuzuarit që po gjykohet, për vrasjen e boksierit shqiptar Besar Nimani, krim i ndodhur vitin e kaluar.

 

Mediat gjermane kanë zbuluar dinamikën, teksa janë publikuar edhe pamje nga ngjarja e rëndë. Dy persona që lëviznin me një makinë hapën zjarr me armë, duke lënë dy të plagosur, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

 

 

 

Dëshmitarët okularë raportuan për BILD se disa njerëz ishin shtrirë në tokë pasi të shtënat rrezikuan edhe jetën e kalimtarëve të rastit. Vëllai i të pandehurit ka marrë një plagë në këmbë. Siç u pa edhe nga pamjet filmike, autorët vijonin të qëllonin edhe pse ai kishte nisur të çalonte.

 

Ndërsa babai i të akuzuarit është në gjendje kritike, pasi thuhet se ka marrë një plumb në mushkëri. Disa media raportojnë se i lënduar ka mbetur edhe një person i tretë, por kjo nuk është konfirmuar ende.

 

Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta të policisë, ndërsa e gjithë zona është rrethuar. Sipas të njëjtave burime, njëri nga autorët është arrestuar, tashmë ndërsa tjetri dyshohet se gjendet në një ndërtesë pranë gjykatës.

 

Një helikopter policie është parë të qarkullojë mbi zonë. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e alarmit duke evakuuar edhe një shkollë që gjendet në zonë. Hüseyin Akkurt akuzohet se i zuri pritë Besar Nimanit së bashku me Ayman Dawoud Kirit, 33 vjeç, më 9 mars të vitit të kaluar, rreth orës 18:00, në qytetin Bielefeld.

 

 

Share This Article
Leave a Comment