Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe Presidenti i Republikës Sërpska (RS) të Bosnje dhe Hercegovinës, Mirollad Dodik, janë takuar në Banjallukë pak orë pas shpalljes së dënimit ndaj Dodikut.
Menjëherë pas dënimit u bë e ditur se Vuçiqi do të udhëtonte drejt Banjallukës për një takim me Dodikun. Gjatë takimit që u zhvillua këtë mbrëmje, të dy e cilësuan vendimin si sulm “kundër Republikës Sërpska dhe popullit serb në tërësi”.
“Është një ditë e vështirë për popullin serb në tërësi. Kundër Dodikut, sipas bindjes sonë, është dhënë një dënim i shkallës së parë në një procedurë juridike të çuditshme dhe të pakuptimtë”, tha Vuçiqi.
Ai e ftoi Dodikun të tregojë atë që e quajti angazhim serb për paqe, dialog dhe jo përmes kërcënimeve dhe shantazheve.
Vuçiqi theksoi nevojën për ruajtjen e Marrëveshjes së Dejtonit, duke njoftuar se do të mbahet edhe një mbledhje e Kuvendit të Serbisë, ku do të ftohet edhe Dodiku.
Pas takimit, Dodik tha se entiteti i Republikës Sërpska angazhohet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe se është i gatshëm për bisedime në Sarajevë, ose kudo tjetër në Bosnje e Hercegovinë.
“Ne nuk sulmojmë askënd, nuk kemi asnjë plan lufte dhe nuk po përgatisim burime. Jemi të gatshëm për bisedime, por jo që të injorohemi. Jam i gatshëm të bisedoj me të gjithë përfaqësuesit e popullit boshnjak dhe kroat dhe të tregojmë si mund ta bëjmë Bosnje dhe Hercegovinën kushtetuese dhe të qëndrueshme për të gjithë, e jo të nënshtrohemi këtu”, tha Dodik në një konferencë shtypi në Banjallukë.
Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe vendimeve të përfaqësuesit të lartë, në territorin e këtij entiteti të Bosnje dhe Hercegovinës.
Vendimi i Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës mund të apelohet. Kodi Penal i Bosnje dhe Hercegovinës për këtë shkelje parasheh dënim me burg prej pesë vjetësh dhe ndalim për ushtrimin e funksioneve politike./REL