Viti 2025 ka nisur mjaft mirë për infrastrukturën e futbollit shqiptar, me investime të rëndësishme nga Federata e Futbollit (FSHF). Në dy muajt e parë të vitit janë përfunduar dy fusha të reja: një në Famullinë e Shna Prendes në Juban të Shkodrës dhe tjetra në aneksin e stadiumit “Skënderbeu” në Korçë. Gjithashtu, ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i stadiumit “Egnatia Arena”, ku janë instaluar: një sistem modern ndriçimi, një ekran LED perimetral, si dhe janë realizuar punime në tribuna si vendosja e stolave të rinj dhe përmirësime të tjera infrastrukturore.
Përmirësimi i infrastrukturës
Puna vazhdon me ritme të larta në disa qytete të vendit për të modernizuar infrastrukturën futbollistike. Në “Shtëpinë e Futbollit” po ndërtohen dy fusha të reja, të cilat do t’u shtohen fushave ekzistuese që shërbejnë për ndeshje dhe stërvitje të ekipeve kombëtare. Po ashtu, në Shtoj të Shkodrës është drejt përfundimit një fushë moderne me bar artificial.
Lexo më tej: “Doni të luani në Europë? Plotësoni këto 6 kritere”: FSHF ‘mëson’ klubet shqiptare
Ndërkohë, në Elbasan ka nisur puna për rikonstruksionin e një fushe me bar natyral në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”, ndërsa në Gjirokastër pritet të fillojnë punimet për dy fusha të reja, pas rikonstruksionit të plotë të fushës së stadiumit “Luftëtari”. Në javët e ardhshme, FSHF pritet të zbatojë projekte të tjera infrastrukturore në disa qytete të vendit, duke vijuar përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kushteve për futbollin shqiptar.