Dinamo arriti një përmbysje të jashtëzakonshme në Korçë, duke rikuperuar disavantazhin 2-0 të ndeshjes së parë dhe duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale pas një fitoreje bindëse 4-0 kundër Skënderbeut. Skuadra e Ilir Dajës pati vështirësi të mëdha për të gjetur rrugën e suksesit. Skënderbeu rezistoi, por përjashtimi i Ramos në minutat e fundit të kohës së rregullt ndikoi ndjeshëm në rrjedhën e lojës.
Duke pasur avantazhin e fitores në takimin e parë, trajneri Ernest Gjoka e orientoi Skënderbeun drejt një strategjie mbrojtëse, ndërsa Dinamo nisi ndeshjen me qëllimin e qartë për të sulmuar. Bregu dhe Zabërgja u treguan të rrezikshëm që në minutat e para, por vendasit reaguan me një kundërsulm të rrezikshëm me anë të Cuckës në minutën e 23-të, duke e detyruar portierin Teqja të ndërhynte.
Megjithatë, vetëm pak minuta më vonë, një episod i pafat për vendasit ndryshoi rrjedhën e ndeshjes. Një krosim i rrezikshëm nga Bregu u devijua gabimisht në portën e tij nga Nsto, duke ngjallur shpresat e Dinamos për përmbysje. Përkundër ndryshimeve taktike të Dajës, dinamovitët nuk arritën të vendosnin ritmin e duhur dhe humbja e një rasti të artë nga Mandela në minutën e 61-të la gjithçka të hapur.
Kartoni i kuq i Ramos, momenti që ndryshoi gjithçka
Ndërsa ndeshja po i afrohej fundit, një episod vendimtar ndihmoi Dinamon të besonte më shumë te përmbysja. Ramos u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 80-të për një ndërhyrje ndaj Zabërgjas, një faull që fillimisht nuk u vu re nga arbitri Rusta, por u konfirmua pas rishikimit të VAR-it. Skënderbeu mbeti me një lojtar më pak dhe e pati të vështirë të përballonte sulmet e një Dinamoje të dëshpëruar për golin e dytë.
Lexo më tej: “Ishim komod, por s’ka falje te loja”:Tetova nervoz pas takimit, Mezani nuk bën drama
Dinamovitët shtuan presionin dhe në minutën e 86-të Mandela goditi shtyllën, ndërsa pak çaste më vonë Zabërgja nuk arriti të shfrytëzonte një top të kthyer. Gjithsesi, insistimi i skuadrës së Dajës u shpërblye në minutën e 95-të, kur pas një situate kaotike në zonën e Skënderbeut, Mandela arriti ta shtynte topin në rrjetë, duke dërguar ndeshjen në shtesë.
Dominim total në shtesë dhe Dinamo feston kualifikimin
Pasi arriti objektivin e dërgimit të ndeshjes në shtesë, Dinamo mori kontrollin e plotë të lojës dhe nuk i la më asnjë shans kundërshtarit. Skënderbeu e humbi kontrollin e në minutën e 102-të, Qardaku përfitoi nga një pasim i gabuar i Shkëmbit për të shënuar golin e tretë, duke i dhënë fund çdo dileme për fatin e sfidës. Për ta mbyllur me stil, Zabërgja shënoi golin e katërt në minutën e 115-të, duke vulosur fitoren e madhe të Dinamos.
Me këtë triumf, Dinamo siguroi një vend në gjysmëfinale, ku do të garojë për trofeun së bashku me Egnatian, Partizanin dhe Vllazninë. Përveç suksesit në Kupë, fitorja e thellë në Korçë dëshmon edhe forcën e ekipit në kampionat, duke e konfirmuar Dinamon si një prej skuadrave më të forta të sezonit.