Erjon Veliaj mashtroi përsëri sot për hetimin ndaj tij, këtë radhë duke përdorur edhe vjehrrin e ndjerë. Ndërsa SPAK heton transaksionin e dyshimtë të Ajola Xoxës për shitjen e makinës së trashëguar, Veliaj deklaron se makinën e shiti vjehrri, ndërkohë që Arben Xoxa kishte ndërruar jetë kur u krye transaksioni.
Për një makinë me vlerë 6 mijë euro, Ajola Xoxa deklaron se ja ka shitur kushëririt të saj për 23 mijë euro apo katër fish më shumë se çmimi real. Sipas SPAK, ky transaksion është përdorur për pastrim parash, ndërkohë që po kjo makinë pas 6 muajve u rishit nga nipi i Arben Xoxës për vetëm 11 mijë euro.
‘Vjehrri, i cili ka 6 vjet që ka vdekur, ka gjetur një makinë okazion në Gjermani dhe e ka blerë. Më pas ia ka shitur të nipit. Ky e ka rishitur në Shqipëri. Blerësi i makinës nga nipi i vjehrrit e paska shitur gjithashtu më vonë. Dhe këtu, unë paskam pastruar paratë e korrupsionit në bashki!!!’.
Edhe në këtë rast Erjon Veliaj gënjen, madje duke përdorur edhe vjehrrin e ndjerë. E vërteta e këtij transaksioni është krejt ndryshe, dhe shitjen e makinës nuk e ka bërë vjehrri Arben Xoxa, por është shitur nga Ajola Xoxa, pasi i ati kishte ndërruar jetë. Dhe sa i përket vlerës, së mjetit, nuk është siç pretendon Veliaj se ka patur ndërhyrje me disqe e marmita, por edhe vetë nipi i Arben Xoxës ka dhënë një tjetër version kur është marrë në pyetje.