Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth këmbëngul se shkarkimi i papritur nga Presidenti Donald Trump i oficerit më të lartë ushtarak të vendit mes një vale shkarkimesh nga puna në Pentagon nuk ishte e pazakontë dhe ai sugjeroi se mund të ndodhin shkarkime të mëtejshme.
“Asgjë në lidhje me këtë nuk është e paprecedentë”, tha sekretari Hegseth për emisionin “Fox News Sunday”, duke folur për largimin e gjeneralit të Forcave Ajrore CQ Brown Jr. nga posti i shefit të shtabit të përgjithshëm. “Presidenti meriton të zgjedhë ekipin e tij të këshilltarëve kryesorë për sigurinë kombëtare”.
Sekretari Hegseth dhe Presidenti Trump nuk e kanë fshehur përqendrimin tek largimi i oficerëve ushtarakë që kanë mbështetur diversitetin, barazinë dhe gjithëpërfshirjen në radhët e tyre. Administrata thotë se masat do të forcojnë më tej një forcë luftarake vdekjeprurëse.
Presidenti Trump dëshiron ta zëvendësojë zotin Brown me gjeneralin e Forcave Ajrore Dan “Razin” Caine, i cili doli në pension në dhjetor. Është e paqartë se si mund të bëhet rifutja e gjeneralit Caine në shërbimin aktiv. Pozicioni kërkon që gjenerali Caine të konfirmohet nga Senati.
Sekretari Hegseth tha se shkarkimet e së premtes prekën gjashtë gjeneralë me tre dhe katër yje dhe ishin “një reflektim i dëshirës së presidentit për të patur njerëzit e duhur rreth tij për të zbatuar përqasjen e sigurisë kombëtare që duam të kemi”.
Për gjeneralin Caine, sekretari Hegseth tha se Presidenti Trump “respekton drejtuesit që zgjidhin duart e luftëtarëve në një botë shumë të rrezikshme”.
Gjenerali në pension George Casey i quajti shkarkimet “jashtëzakonisht destabilizuese”. Zoti Casey, i cili ishte drejtues ushtarak gjatë mandatit të presidentit republikan George W. Bush dhe i forcave shumëkombëshe në Irak nga 2004 deri në 2007, vuri në dukje gjithashtu se administrata Trump mundet ta ndryshojë politikën e Pentagonit pa ndryshuar personelin, por shtoi se ajo që ndodhi është brenda kompetencave të presidentit.
“Kjo është prerogativa e tij”, tha gjenerali Casey për emisionin “This Week” të kanalit televiziv ABC. “Ai është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura”, tha ai.
Sekretari Hegseth u pyet gjithashtu në kanalin Fox News në lidhje me zyrtarët që mund të përpilojnë listat e zyrtarëve të tjerë të mbrojtjes që planifikojnë të shkarkojnë. Ai tha se nuk kishte asnjë listë, por sugjeroi se vërtet mund të vijojnë shkarkime të tjera.
“Presidenti Trump ka dhënë një grup tjetër urdhrash të ligjshëm dhe ato do të ndiqen”, tha sekretari Hegseth. “Nëse nuk ndiqen, atëherë ata oficerë do t’i drejtohen daljes”./voa