Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar komentet e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj ndaj prokurorit të çështjes së tij tij, Ols Dado.
Në një konferencë për mediat, Berisha tha se Veliaj e kërcënon Dadon për t’u dërguar një mesazh dëshmitarëve që të mos flasin për të. Kreu i opozitës bëri me dije se selia blu po shikon modalitetet për ta paditur Veliajn për pengim të drejtësisë dhe kërcënim të dëshmitarëve.
“Kërcënimi për Olsi Dadon është një kërcënim që ai shanset i ka zero që ta agresojë fizikisht. Por kërcënimi personal është për dëshmitarët që po folët do ta keni personale me mua. Nuk ka akt më të mirëfilltë të pengimit të drejtësisë se ky. PD po shikon modalitetet për ta paditur për aktin e pengimit të drejtësisë dhe kërcënimit të dëshmitarëve. Kodi i mesazhit është kërcënimi i dëshmitarëve”, tha Berisha.
Kryedemokrati u shpreh se Erion Veliaj nuk mund të shpëtojë nga krimet dhe i bëri thirrje të mos kërcënojë më dëshmitarët.
Ndër të tjera, Berisha u shpreh se dënon edhe heshtjen e Edi Ramës.
Sa i përket akuzave që vetë Berisha i bën ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, kryedemokrati tha se “nuk është cënuar kurrë në personale”.
“Altin Dumani është drejtuesi i asaj prokurorie e cila është shndërruar në një prokurori politike që ka marrë përsipër t’i marrë mandate opozitës, siç ka qenë mandati i Fredi Belerit. Ka marrë përsipër si në asnjë vend tjetër të Europës të verë në ndjekje penale apo arrest tre liderë të tre partive opozitare pa asnjë akuzë. Ilir Meta pa asnjë akuzë, Sali Berisha në falsitet dhe Fatmir Mediu për një proces që është gjykuar 15 vite më parë”, tha Berisha.
Lexo edhe: