Emisioni “Opinion” në Tv Klan, mbrëmjen e sotme trajton një temë mjaft delikate siç janë vrasjet misterioze ndër vite në vendin tonë. Gazetari Ferdinand Dervishi mes këtyre vrasjeve ka përzgjedhur vrasjen e Erieta Avdylit e cila u zhduk papritur më 30 Mars të vitit 2000 rreth orës 15:30. Ajo u gjet e vrarë më 13 Maj të po këtij viti e groposur në anë të rrugës, në fshatin Romanat të Durrësit, krim i cili edhe sot ka mbetur pa autor.
Dervishi sjell me detaje që në fillesat e saj problemet në çift të viktimës, teksa shton se në moszbardhjen e kësaj vrasje ka ndikuar triumfi i psikologjisë maskiliste shqiptare të asaj kohe.
Ndër të tjera gazetari ka kujtuar edhe një bisedë disa vite pas ngjarjes me një nga hetuesit e ngjarjes, i cili i kishte zbuluar arsyen pse ai kishte hequr dorë nga ky hetim.
“Bëhet edhe një lojë që e kemi parë duke zbritur nga trageti në Itali. Kur gjendet kufoma atëherë arrestohet i shoqi sepse kishim një kufome dhe kishim një padi për Erietën. Nuk u gjetën prova. U hetua keq dhe u hetua nga miq të tij, të shoqit. Përtej të gjitha gjërave kohë më mbrapa unë kam arrit të takoj hetuesit dhe ma ka mbyllur me një fjali që ishte që në momentin që unë zbulova emailet e saj me të dashurin e saj unë hoqa dorë nga gjithçka, pra shteti i asaj kohe në momentin që gjeti që ajo kishte një lidhje. U tërhoq një shtet, një shoqëri dhe të gjitha strukturat në momentin që zbuluan që ajo kishte një të dashur. U tërhoqën mbrapsht të gjithë dhe e kyçën këtë histori”, thekson Dervishi.