Veprim që mund të ketë pasoja negative! |

2 Min Read

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar pas mbyllës së qendrave serbe për Punë Sociale në Kosovë.

Kjo ambasadë ka shprehur shqetësime për këtë veprim, të cilin e ka quajtur të pakoordinuar.

Tutje thuhet se këto veprime mund të kenë pasojë negative për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhënien dypalëshe me SHBA-në.

“Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe për marrëdhëniet tona bilaterale”, është thënë në një reagim të Ambasadës në rrjetin social X.

Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur të premten katër objekte të Qendrës për punë sociale – të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb – për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.

Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.

Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të mos i mbyllë këto struktura dhe që për statusin e tyre të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Share This Article
Leave a Comment