Kostandin Mitsotaqis ishte Kryeministri i parë në Europë dhe botë që do të priste në Selanik, Ibrahim Rugovën. Panorama e marrëdhënieve tona është padiskutim panorama e dy kombeve mike, e dy vendeve mike. PD në këtë rast dua të theksoj, se marrëdhëniet mes dy fqinjëve nuk janë asnjëherë linare, njohin uljet dhe zbritjet, por në çdo kohë në pushtet, PD me qeverinë e këtij vendi ka njohur një dialog konstruktiv dhe një vullnet për të dialoguar pa asnjë tabu për çdo çështje.
Ky vullnet bëri që në Mars 1996 të firmosnim me Presidentin e Greqisë, Stefanopullos traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit. Traktat që u jepte përgjigjen ligjore më të mirë, të gjitha marrëdhënieve mes dy vendeve, probleme që duheshin zgjidhur dhe të ardhmes së shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve. PD po në këtë frymë, rikthyer në pushtet firmosi me autoritetet e këtij vendi, marrëveshjen e detit. Unë ju them këtu vëllezër dhe motra, ajo është marrëveshja më e mirë që ka firmosur Shqipëria ndonjëherë me fqinjët e saj.
Natyrisht do të ishte absurde që të firmosej një marrëveshje që Greqia të humbiste dhe Shqipëria të humbiste. Ja pra që ka një marrëveshje kur fitojnë të dy palët dhe nëse kishte marrëveshje që fitonin të dy palët ishte marrëveshja që bëmë ne për zonat ekonomike dhe detin. Këtë marrëveshje e përmbysi Edi Rama. Jo vetëm e përmbysi marrëveshjen, por kur gjykata e hodhi poshtë, qeveritë greke për hir të së vërtetës e qendrës së djathtë dhe të majtë respektivisht, ramë dakord që të shkonim në Hagë, sepse në Kushtetutë ligji ndërkombëtar mbizotëron dhe të merrnim sanksionim në Gjykatën e Hagës.