Liverpooli “fundos” Man Cityn në Etihad dhe shkëputet +11 në krye |

2 Min Read

Liverpooli ka arritur të marrë një fitore të pastër me rezultatin 0-2 në transfertë ndaj Manchester Cityt në kuadër të javës së 26-të në elitën e futbollit anglez.

Golin e epërsisë miqtë e gjetën që në minutën e 14-të të takimit përmes Mohamed Salah i cili me ndihmën e një devijimi nga Nathan Ake realizoi për 1-0.

Pas pësimit të golit, City nisi të marrë iniciativën duke dominuar në posedim të topit, por edhe duke arritur që të krijojë raste të pastra shënimi. Në fakt ata e gjetën golin në minutën e 31-të përmes Omar Marmoush, por që u anulua për pozicion jashtë loje.

Edhe tek goli i dytë i Liverpoolit protagonist ishte dyshja Szoboszlai-Salah në minutën e 37’, por kësaj radhe ishte egjiptiani që asistoi për hungarezin për rezultatin 2-0.

Në pjesën e dytë të besuarit e Arne Slot gjetën sërish rrjetën, këtë herë përmes Curtis Jones, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Pavarësisht tentimeve të tyre për të ngushtuar rezultatin, City nuk arriti që të gjejë golin duke vazhduar kështu krizën e rezultateve këtë sezon.

Pas kësaj fitoreje Liverpooli shkon në kuotën e 64 pikëve dhe mban pozitën e parë në tabelë, +11 nga Arsenali i vendit të dytë, teksa City renditet në vendin e katërt me 44 pikë.

Dy ekipet do rikthehen në aksion sërish në mesjavë ku ‘Qytetarët’ do të luajnë në transfertë ndaj Tottenhamit ndërsa ‘Të Kuqtë’ ndaj Newcastle.

Share This Article
Leave a Comment