Një episod i pazakontë ndodhi në stadiumin “Via del Mare” gjatë ndeshjes Lecce-Udinese. Në minutën e 30-të, arbitri Bonacina akordoi një penallti për friulanët pas një kontakti me krah ndaj Lovric, të rishikuar në VAR. Megjithatë, ajo që bëri më shumë bujë ndodhi në ekzekutimin e penalltisë. Lorenzo Lucca mori topin për ta goditur, pavarësisht se disa nga shokët e tij, me rigoristin zyrtar Thauvin në krye, u përpoqën ta bindnin se nuk ishte ai i caktuar për ta ekzekutuar.
Para syve të një Runjaic të habitur, Lucca nuk hoqi dorë dhe, pas një debati të gjatë, gjatë të cilit mori edhe një karton të verdhë për vonesë loje, e ekzekutoi penalltinë dhe shënoi.
Një gol pa festë, pasi ai mbeti i vetëm në gëzimin e tij. Shokët e skuadrës u distancuan dhe u kthyen menjëherë në mesfushë. Si të mos mjaftonte kjo, trajneri i Udineses vendosi ta zëvendësonte disa minuta më vonë, duke e larguar nga fusha për t’i bërë vend Iker Bravo-s. Ndërkohë, edhe vetë Thauvin kërkoi të zëvendësohej. Kështu, mbrëmja e Lucca-s, i cili arriti kuotën e dhjetë golave në kampionat, u mbyll më herët dhe pa shumë buzëqeshje.
Runjaic: “Lucca? Nuk më pëlqen që nuk respektohen rregullat”
Pas fitores ndaj Lecces, Kosta Runjaic ishte i kënaqur me rezultatin, por nuk e fshehu zhgënjimin për sjelljen e Lucca-s te penalltia vendimtare. “Kemi një hierarki të qartë. Thauvin është rigoristi ynë dhe Lucca mori vendimin ta godiste në mënyrë të pavarur,” shpjegoi trajneri i Udineses, i cili e zëvendësoi menjëherë sulmuesin pas golit. “Nuk më pëlqeu diskutimi, kaluan shumë kohë duke debatuar, ndaj mora vendimin ta largoj nga loja”.
“Ai realizoi një penallti të shkëlqyer dhe na dha një fitore të madhe, jemi të lumtur,” shtoi Runjaic. “Por duhej të merrja masa. Nuk është hera e parë që dy lojtarë në një skuadër zihen për të goditur një gjuajtje standarde. Do të flasim për këtë gjatë javës dhe nuk do të ketë pasoja të mëtejshme. Nuk më pëlqen që nuk respektohen rregullat.”
Rasti Lucca: çfarë ndodhi në pankinë pas zëvendësimit
Lucca shënon penalltinë, por askush nuk feston me të: çfarë ndodhi me shokët e skuadrës? Në të njëjtin moment, Thauvin i afrohet trajnerit Runjaic duke kërkuar të zëvendësohet, por tekniku gjerman tashmë kishte dërguar Iker Bravo-n të bëhej gati për të zëvendësuar Lucca-n. Pesë minuta më vonë ndodh ndërrimi “ndëshkues”, me sulmuesin italian që largohet nga fusha sikur asgjë të mos kishte ndodhur, madje duke përshëndetur me “high-five” trajnerin dhe shokët e ekipit para se të ulej në pankinë.
Situata u tensionua më shumë kur portieri i dytë, Padelli, e qortoi ashpër. Lucca dukej i hutuar dhe kërkoi shpjegime, por gardiani i ekipit e “ftoi” të qëndronte i heshtur duke vendosur gishtin tregues mbi buzë.
Pas ndeshjes, në prononcimin për DAZN, Bijol u shpreh: “Këto gjëra nuk duhet të ndodhin, kërkojmë falje tifozëve tanë. Por Lucca është njëri nga ne, gjithmonë dëshiron të shënojë dhe do të shënojë shumë gola të tjerë.”
#LecceUdinese #Lucca rimproverato da #Padelli in panchina dopo il rigore pic.twitter.com/QYtL4YJjS0
— Tutti al Var (@Tutti_al_var) February 22, 2025