KKTU rikthen “Tor Lushnjarin”, bëhet bashkë me Xhindolin e PD-së për kompleks vilash në Livadh të Himarës |

5 Min Read

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka miratuar një kompleks vilash në zonën e plazhit në Livadh, Himarë. Një nga vendimet e shumta të datës 19 shkurt 2025 ka qenë edhe numri rendor 44, që bën fjalë për kërkesën e 3 firmave për të ndërtuar kompleksin në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë.

Sipas KKTU-së, është miratuar “leje zhvillimi për objektin ‘kompleks me vila, rezidencë banimi, hoteleri, shërbime dhe rekreacion’, me vendndodhje në Livadh, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqëritë ‘Star Butik Hotel’ sh.p.k, ‘Dream House’ sh.p.k dhe z.Darien Xhindoli”.

Përfitues të kësaj leje është firma “Star Butik Hotel”, në pronësi të z. Mentor Mezini, ose siç njihet ndryshe “Tor Lushnjari”. Emri i këtij të fundit dilte në disa përgjime të SPAK-ut nga komunikimet në Sky ECC me grupin e Suel Çelës në Elbasan. Madje, edhe për disa ndërtime në zonën e Liqenit në Tiranë, ku ka bashkëpunuar me disa personazhe nën hetim dhe të arrestuar nga SPAK.

Faksimile: Vendimi me numër 44, i KKTU-së që miraton lejen për kompleks vilash në Livadh, Himarë

Ndërkohë, firma tjetër që bashkëpunon z. Mezini për kompleksin në Livadh është “Dream House”, në pronësi të z. Ardian Avdalli. Këto dy firma kanë bashkëpunuar me personin fizik, Darien Xhindoli. Në QKB rezulton se Xhindoli ka seli në Lushnje, teksa burimet e VoxNews kanë saktësuar se bëhet fjalë për ish-kandidatin e Partisë Demokratike për kryetar në Bashkinë e Lushnjes.

Të gjithë këta personazhe, qoftë me lidhje politike apo të dyshuar edhe për lidhje kriminale, kanë arritur që të “bindin” KKTU-në.

Faksimile: Ekstrakti në QKB i firmës “Star Butik Hotel”, në pronësi 100 % të z. Mentor Mezini

VoxNews shfletoi dokumentet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku rezulton se firma ‘Star Butik Hotel”, përfituese e lejes për kompleks vilash në Livadh, Himarë, është në pronësi 100 % të z. Mentor Mezini, ose siç njihet ndryshe “Tor Lushnjari”.

Në prill të vitit 2024, në kohën kur z. Mezini është hetuar për trafik droge dhe prostitucion, ai shiti kompaninë “Bluebay” shpk, kompania që po realizonte investimin strategjik Drymades Beach Resort në Gjilek të Himarës. Mentor Mezini aksioneri i vetëm i kësaj kompanie vendosi t’i shesë kuotat tek tre shoqëri shqiptare për 12 milionë euro.

Në korrik të vitit 2021, kjo shoqëri përfitoi statusin e investitorit strategjik, procedurë e asistuar, nga Komiteti i Investimeve Strategjike për projektin e saj Drymades Beach Resort.

Në foto: Denoncimi i VoxNews për “Tor Lushnjarin”, i cili dilte në përgjime me disa grupe

Në vitin 2024, Vox News raportoi se Mentor Mezini i njohur dhe me nofkën “Tor Lushnjari” ka dal në përgjigjet e Sky si pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës me Eldi Dizdarin, Dritan Rexhepin dhe Ervin Matën.

Sipas burimeve të redaksisë, SPAK është duke verifikuar pasurinë e Mezinit si dhe ka siguruar dënim për trafik femrash për të cilin ai nuk ka ardhur në Shqipëri deri sa e ka zgjidhur. Mezini është ndër personat më të fuqishëm që lëviz para jashtë sistemit bankar.

Faksimile: Në QKB, person fizik me emrin Darien Xhindoli është me seli në Lushnje

Por, me cilët do të bashkëpunojë “Tor Lushnjari”? Sipas verifikime të VoxNews, person fizik me emrin Darien Xhindoli është me seli në Lushnje. Burimet tona flasin se bëhet fjalë për kandidatin e Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë së Lushnje, në vitin 2023.

Ndërkohë, VoxNews shfletoi bilancet e Xhindolit për dy vitet e fundit, ku të vitit të kaluar nuk ka deklaruar asnjë fitim dhe një vit më parë reklamon 15 mijë euro fitim. Si mund të marrë një leje një person fizik për kompleks turistik?!/Voxnews

Share This Article
Leave a Comment