Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
1. Shfuqizimi i ligjit nr. 79/2022 “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe NSHMI Development L.L.C. në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Fillimisht, Gjykata ritheksoi qëndrimin e saj se ajo ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve miratuese, siç është edhe ligji nr. 79/2022, për sa kohë juridiksioni i Gjykatës përcaktohet nga natyra kushtetuese e pretendimeve.
Gjykata vlerësoi se kërkuesi legjitimohet si subjekt (ratione personae dhe ratione temporis) për të gjitha pretendimet e ngritura në kërkesë lidhur me ligjin nr. 79/2022.
Më tej, në vlerësim të brendisë dhe natyrës kushtetuese të pretendimeve konkrete (ratione materiae), Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se pretendimet e kërkuesit për cenimin e:
nuk do të merren në shqyrtim për sa kohë që kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit për cenim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, në drejtim të konkurrencës të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak se subjekti zhvillues i projektit strategjik është përzgjedhur pa garë, arriti në përfundimin se nuk duhet të merret në shqyrtim, pasi përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të miratuar me ligjin nr. 145/2020 dhe jo nga ligji objekt shqyrtimi. Për më tepër, Gjykata konstatoi se konkurrimi mes zhvilluesve sipas ligjit për investimet strategjike realizohet në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik.
Më tej, Gjykata vijoi me shqyrtimin në themel të pretendimeve të mëposhtme, për cenimin e:
1. parimeve kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore, për shkak të parashikimit të nenit 10.6 të Marrëveshjes Kuadër të miratuar me ligjin nr. 79/2022 (objekt kërkese), i cili parashikon se menaxhimi i hapësirave publike të krijuara nga zbatimi i projektit strategjik do të bëhet nga investitori strategjik;
2. lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të konkurrencës së lirë të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak të përjashtimit të investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë, detyrimi për të kontribuar në strehimin social (neni 2/1 dhe 10.12 i Marrëveshjes Kuadër) dhe të faktit se prona publike i është vënë në dispozicion një shoqërie private pa konkurrencë (neni 11/2 i Kushtetutës).
Në lidhje me pretendimin e parë, në një interpretim pajtues midis dispozitave të kontestuara dhe nenit 13 dhe 113 të Kushtetutës, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik në nenin 10.6 të Marrëveshjes Kuadër duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor.
Në lidhje me pretendimin e dytë, Gjykata, me shumice votash, arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/ detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.
Në përfundim për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577/2000 dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.