Nuk do të ketë derbi evropian mes Lazios dhe Romës në 1/8-at e Europa League, pasi shorti i hedhur në Nyon ka përcaktuar kundërshtarë të ndryshëm për dy skuadrat italiane.
Lazio, e cila e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë, do të përballet me Viktoria Plzen, ekip që siguroi kualifikimin pasi eliminoi Ferencvaros në fazën play-off. Ndërkohë, Roma e Claudio Ranierit do të ketë përballë Athletic Bilbaon.
Lexo më tej: Dy euroderbi në 1/8 e Champions: Real përplaset me Atletico e Bayern me Leverkusen
Ndeshjet e para do të zhvillohen më 6 mars, ndërsa ato të kthimit më 13 mars. Nëse Lazio kualifikohet në çerekfinale, do të ndeshet me fituesin e çiftit Olympiacos – Bodo/Glimt, ndërsa Roma, e cila do ta luajë ndeshjen e parë në “Olimpico”, mund të përballet me Fenerbahçen e drejtuar nga ish-trajneri i saj, José Mourinho, nëse turqit kalojnë Rangers.
Ranieri: “Do të japim maksimumin për të kaluar”
“Përballja me Athletic Bilbao është një nga më tërheqëset për çdo trajner. E kam sfiduar këtë ekip disa herë kur kam drejtuar në Spanjë.” – kështu e komentoi trajneri Claudio Ranieri shortin e Europa League për faqen zyrtare të Romës. “Të luash në stadiumin e tyre, me atë histori dhe atë ndjenjë të fortë përkatësie, nuk është kurrë e lehtë. Bilbao është një skuadër shumë e fortë, por ne do të bëjmë gjithçka për të avancuar në kompeticion.”
Çiftet e 1/8-ave të Europa League
• Viktoria Plzen – LAZIO
• Bodo/Glimt – Olympiacos
• Ajax – Eintracht Frankfurt
• AZ Alkmaar – Tottenham
• ROMA – Athletic Bilbao
• Fenerbahçe – Rangers
• Real Sociedad – Manchester United
• Steaua Bukuresht – Lyon
Kalendari i Europa League
• 1/8 e finales: 6 dhe 13 mars
• Çerekfinalet: 10 dhe 17 prill
• Gjysmëfinalet: 1 dhe 8 maj
• Finalja: 21 maj (Bilbao)
The road to Bilbao 🤩#UELdraw | #UEL pic.twitter.com/0MfdMuQFel
— UEFA Europa League (@EuropaLeague) February 21, 2025