“Kushtetuesja” nuk merr në shqyrtim kërkesën e PDsë për portin e jahteve në Durrës

6 Min Read

Shfuqizimi i ligjit nr. 79/2022 “Për miratimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe NSHMI Development L.L.C. në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.

Fillimisht, Gjykata ritheksoi qëndrimin e saj se ajo ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve miratuese, siç është edhe ligji nr. 79/2022, për sa kohë juridiksioni i Gjykatës përcaktohet nga natyra kushtetuese e pretendimeve.

Gjykata vlerësoi se kërkuesi legjitimohet si subjekt (ratione personae dhe ratione temporis) për të gjitha pretendimet e ngritura në kërkesë lidhur me ligjin nr. 79/2022.

Më tej, në vlerësim të brendisë dhe natyrës kushtetuese të pretendimeve konkrete (ratione materiae), Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se pretendimet e kërkuesit për cenimin e:

identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore si rezultat i zhvillimit të projektit strategjik në territorin e portit të Durrësit;

nenit 11/2 të Kushtetutës, për shkak të dështimit të shtetit për të mbrojtur këtë pronë publike, duke ia vënë atë në dispozicion një shoqërie private (pjesërisht);

së drejtës për transparencë për shkak të: (i) moszhvillimit të seancave dëgjimore me grupet e interesit; (ii) mosinformimit të deputetëve për disa pjesë të kontratës; (iii) procedurës së përshpejtuar në miratimin e ligjit; (iv) paqartësive lidhur me pronarin përfitues fundor;

nenit 82/1 të Kushtetutës, për shkak se projektligji nuk është shoqëruar me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij;

parimeve të autonomisë vendore, për shkak të faktit se Bashkia Durrës dhe banorët e atij qyteti do të privohen nga të ardhurat që do të vijnë në formën e taksës së ndikimit mbi infrastrukturën dhe përfitimi i kuotës ligjore për banesat sociale,

nuk do të merren në shqyrtim për sa kohë që kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese.

Po ashtu, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit për cenim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, në drejtim të konkurrencës të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak se subjekti zhvillues i projektit strategjik është përzgjedhur pa garë,  arriti në përfundimin se nuk duhet të merret në shqyrtim, pasi përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të miratuar me ligjin nr. 145/2020 dhe jo nga ligji objekt shqyrtimi. Për më tepër, Gjykata konstatoi se konkurrimi mes zhvilluesve sipas ligjit për investimet strategjike realizohet në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik.

Më tej, Gjykata vijoi me shqyrtimin në themel të pretendimeve të mëposhtme, për cenimin e:

parimeve kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore, për shkak të parashikimit të nenit 10.6 të Marrëveshjes Kuadër të miratuar me ligjin nr. 79/2022 (objekt kërkese), i cili parashikon se menaxhimi i hapësirave publike të krijuara nga zbatimi i projektit strategjik do të bëhet nga investitori strategjik;

lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të konkurrencës së lirë të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak të përjashtimit të investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë, detyrimi për të kontribuar në strehimin social (neni 2/1 dhe 10.12 i Marrëveshjes Kuadër) dhe të faktit se prona publike i është vënë në dispozicion një shoqërie private pa konkurrencë (neni 11/2 i Kushtetutës).

Në lidhje me pretendimin e parë, në një interpretim pajtues midis dispozitave të kontestuara dhe nenit 13 dhe 113 të Kushtetutës, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik në nenin 10.6 të Marrëveshjes Kuadër duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor.

Në lidhje me pretendimin e dytë, Gjykata, me shumice votash,  arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/ detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.

Në përfundim për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577/2000 dhe Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, njofton Kushtetuesja.

Partia Demokratike, që prej fillimit, është pozicionuar kundër ndërtimit të portit të jahteve në Durrës. Përveç betejave në Gjykatën Kushtetuese, ajo e ka çuar këtë çështje edhe në SPAK.

Share This Article
Leave a Comment