Kostoja totale për financimin e strategjive që do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2028 vlerësohet në rreth 7.6 miliardë euro.
Sipas këtij dokumenti, fondet e nevojshme për financimin e aktiviteteve dhe masave specifike të strategjive, të cilat do të kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e objektivave strategjikë dhe specifikë, arrijnë në rreth 750 miliardë lekë ose 7.63 miliardë euro.
Ndërkohë, disbursimi i mbështetjes nga Bashkimi Europian, në kuadër të “Vendimit zbatues të Komisionit Europian për miratimin e Agjendave të Reformës dhe programit shumëvjeçar të punës për Facilitetin e Reformave dhe Rritjes në Ballkanin Perëndimor”, do të varet nga përparimi konkret në zbatimin e reformave të përcaktuara. Ky vendim u miratua nga Komisioni Europian më 23 shtator 2024.
Përveç kësaj, stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i qëndrueshëm i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit janë kushte të përgjithshme që duhet të përmbushen për të siguruar pagesat dhe çlirimin e fondeve.