“Harabeli”/ Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt paraqitet në SPAK

2 Min Read

Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Ajola Xoxa është paraqitur mëngjesin e sotëm në SPAK.

Xoxa është paraqitur për respektimin e masës së sigurisë dhënë nga GJKKO, detyrim paraqitje dy herë në muaj.

Sipas vendimit të datës 12 shkurt, ku iu ndryshua masa nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, Xoxa ka edhe detyrimin për t’u paraqitur të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 11:00.

Meqenëse ka mbërritur pa avokat dhe më herët se orari qe i ka caktuar gjykata, pritet të konfirmohet nëse është vetëm zbatim i urdhrit të Gjykatës së Posaçme që ka vendosur edhe ndalimin e saj për të dalë jashtë shtetit, apo gjendet në SPAK edhe për arsye të tjera.

Dje Gjykata e Posaçme rrëzoi një tjetër kërkesë të bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ku u vlerësua i drejtë kontrolli në apartamentin 11/4 që ndodhej mbi qendrën “Harabel” që administrohet nga Ajola Xoxa.

Xoxa kundërshtoi kontrollet e zhvilluara nga bkh në atë që mbrojtja e quajti magazinë në godinën “Sky Tower”.

Nga kontrollet që u bënë në janar të këtij viti u sekuestruan edhe sende me vlerë për hetimin mes të cilave dhe shuma të konsiderueshme të gjetura në kasafortë.

Më konkretisht, 95 mijë e 350 euro, shumica në prerje 500 euroshe, 14 mijë e 900 dollarë, si edhe 665 mijë lekë.

Procedurat janë realizuar për procedimin ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili prej datës 10 shkurt ndodhet në arrest me burg.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion dhe pastrim të parave. Në këtë dosje në masën e arrestit me burg është dhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa 5 sipërmarrës të tjerë janë në detyrim paraqitje.

 

Share This Article
Leave a Comment