Friedrich Merz, kandidati kryesor për t’u bërë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, dha një paralajmërim të ashpër të premten se Europa duhet të përgatitet të mbrohet pa SHBA-në.
“Ne duhet të përgatitemi për mundësinë që Donald Trump të mos e mbajë më angazhimin e mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s pa kushte,” tha Merz në një intervistë për një televizion gjerman të premten. “Për këtë arsye, sipas mendimit tim, është thelbësore që europianët të bëjnë përpjekjet më të mëdha të mundshme për të siguruar që të jemi të paktën të aftë të mbrojmë vetë kontinentin europian.”
Në ditët e fundit, Presidenti i SHBA-së, Trump, është dukur gjithnjë e më shumë i rreshtuar me Presidentin rus, Vladimir Putin, duke fajësuar Ukrainën, dhe jo Kremlinin, për fillimin e luftës që nisi me pushtimin në shkallë të plotë nga Rusia në vitin 2022. Këto komente pasuan një fjalim të zëvendës Presidentit të SHBA-së, JD Vance, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku ai e përshkroi si kërcënimin më të madh për sigurinë europiane partitë kryesore europiane, jo Rusinë.
Lexo më tej: Analiza e fortë në “Der Standard”/ A po ndihmon Trump që Putin të fitojë luftën
Liderët europianë janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar që nuk mund të mbështeten më tek SHBA-ja dhe klauzola e mbrojtjes kolektive e NATO-s, e cila ka qenë themeli i sigurisë së Europës që nga Lufta e Ftohtë.
Merz, lideri i Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) të qendrës së djathtë dhe në vendin e parë në sondazhet e opinionit përpara votimit të së dielës, tha se Europa duhet të përgatitet kolektivisht për mundësinë që administrata Trump të mos e mbajë angazhimin e nenit 5 të NATO-s, i cili detyron anëtarët e aleancës për mbrojtje kolektive.
I pyetur nëse beson se Trump do ta respektojë këtë klauzolë, Merz u përgjigj: “Nuk do ta vija në bast për asnjë pyetje që më bëhet, dhe sigurisht jo për këtë.”
I pyetur nëse Gjermania duhet të kërkojë mbrojtje nën ombrellën bërthamore të Francës, Merz pranoi se Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka bërë disa herë një ofertë të tillë për Berlinin, por qeveritë e mëparshme gjermane e kanë lënë çështjen pa përgjigje.
“Ne duhet të kemi diskutime si me britanikët, ashtu edhe me francezët, dy fuqitë bërthamore europiane, për të parë nëse ndarja bërthamore, ose të paktën siguria bërthamore nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, mund të vlejë edhe për ne,” tha ai.
Politico, përshtati në shqip