Bregu i ndryshon fytyrën Dajës: dygolësh ndaj Laçit dhe Dinamo kthehet te fitorja

3 Min Read

Dinamo ka gjetur rrugën e fitores pas një muaji pa sukses, duke mposhtur pastër Laçin me rezultatin 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena” për javën e 26-të të Superiores. Me këtë rezultat, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja siguron një pozicion të fortë në katërshen e kreut dhe parakalon provizorisht Vllazninë në renditje.

Start i furishëm dhe dygolësh i vlonjatit Dejvi Bregu

Takimi nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Dinamon, e cila kaloi në avantazh që në minutën e dytë me një supergol nga Dejvi Bregu. Sulmuesi realizoi një goditje të bukur nga distanca, duke i dhënë skuadrës së tij epërsinë e hershme dhe duke i komplikuar ndjeshëm situatën Laçit. “Ndeshja kishte shumë vështirësi – pranoi tekniku i Laçit Francesco Moriero -. Provuam të reagonim, gjithsesi nuk mund të themi që jemi të dobët. E dimë kush është objektivi jonë, është që të shpëtojmë dhe nga humbjet të mësojmë gjithmonë. Sot nuk ishim agresivë si herët e tjera. Nuk them që e pranojmë humbjen, por nga kjo të mendojmë më shumë.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të kryeqytetasve, ndërsa në fraksionin e dytë miqtë nga Kurbini u përpoqën të reagonin, duke rritur presionin në kërkim të barazimit. Megjithatë, në momentin më të mirë të tyre, Dinamo fitoi një penallti të diskutueshme, e cila u ekzekutua saktë nga Bregu, duke vulosur rezultatin 2-0 dhe fitoren e rëndësishme për blutë. Tekniku Ilir Daja nuk i kurseu elozhet për vlonjatin: “Ishte një rikthim i Bregut me dy gola, na vjen mirë pasi është lojtar i rëndësishëm për ne. Në golin e parë kishte një lëvizje individuale dhe më vjen mirë që rikthehet me dygolësh dhe lojë shumë të mirë. Sot nuk ra shumë në sy, por ishte lojtari që hapte më shumë zona tek kundërshtari”.

Dinamo ngjitet në vendin e dytë, Laçi mbetet pas

Me këtë sukses, Dinamo shkon në kuotën e 44 pikëve, duke kaluar Vllazninë dhe duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes, pas Partizanit kryesues. Nga ana tjetër, Laçi mbetet në vendin e pestë me 30 pikë, duke parë distancën me skuadrat e kreut të zgjerohet edhe më shumë.

Lexo më tej: Tre kartonë të kuq e tension i lartë: Dinamo e pathyer nga Vllaznia falë Teqjas

Fitorja e sotme i jep Dinamos jo vetëm tre pikë të vlefshme, por edhe besim për të tentuar dy vendet e para, në pjesën e mbetur të kampionatit.

Share This Article
Leave a Comment