Që nga sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë ndaj Ukrainë në 2022, Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një fond prej rreth 183 miliardë dollarësh për Ukrainën, sipas grupit mbikëqyrës ndërinstitucional që është përgjegjës për hartimin e raporteve që i dërgohen Kongresit.
Rreth 58 miliardë dollarë, nga totali prej 183 miliardë dollarësh për Ukrainën, janë shpenzuar në SHBA, duke shkuar drejtpërdrejt për forcimin e industrisë amerikane të mbrojtjes, qoftë duke zëvendësuar armatimet e vjetra që i janë dhënë Kievit me armë të reja të prodhuara nga Amerika, duke blerë armë të reja të prodhuara në SHBA për Kievin, ose duke bërë investime të drejtpërdrejta në industrinë ushtarake amerikane.
Zëri i Amerikës i kërkoi Shtëpisë së Bardhë të qartësonte komentet e Presidentit Trump, duke kërkuar në mënyrë specifike dokumentacionin lidhur me mospërputhjen e të dhënave. Shtëpia e Bardhë u përgjigj duke i kërkuar Zërit të Amerikës t’i referohej deklaratave të Presidentit.
Në një postim të bërë të mërkurën në rrjetin e tij Truth Social, Presidenti Trump e cilësoi Presidentin Zelenksyy “një komedian me sukses modest”, i cili “arriti të bindte Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të shpenzonin 350 miliardë dollarë, për të hyrë në një luftë që nuk mund të fitohej, që nuk duhej të kishte filluar kurrë, por një luftë që ai (Zelenskyy), pa SHBA dhe “TRUMP”, nuk do të mund ta zgjidhte kurrë. Një diktator i pazgjedhur që më mirë të veprojë me shpejtësi, ndryshe nuk do t’i mbetet më shtet”.
Presidenti Zelenskyy u tha gazetarëve ukrainas të mërkurën se kostoja totale e luftës që nga shkurti 2022 ishte rreth 320 miliardë dollarë.
Presidenti Trump, i cili e ka përmendur disa herë shifrën prej 350 miliardë dollarësh, shkruajti gjithashtu të mërkurën në median e tij sociale se “Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 200 miliardë dollarë më shumë se Evropa dhe paratë e Evropës janë të garantuara, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin asgjë në këmbim”.
Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 2 miliardë dollarë më shumë se Evropa në ndihma ushtarake për Ukrainën, por “donatorët evropianë kanë qenë burimi kryesor i ndihmës për Ukrainën që nga viti 2022, në veçanti kur bëhet fjalë për ndihma financiare dhe humanitare”, thuhet në raportin më të fundit të institutit të publikuar javën e kaluar.
Përllogaritjet e buxhetit të qeverisë amerikane janë komplekse dhe shpenzimet janë të përmasave masive. Sipas një programi që gjurmon në kohë reale shpenzimet e qeverisë amerikane, qeveria ka shpenzuar rreth 2.4 trilionë dollarë në pjesën e parë të vitit fiskal 2025. Në vitin pararendës shpenzimet ishin në 6.75 trilionë dollarë për gjithë vitin.
Studiuesit kundërshtojnë saktësinë e shifrave të dhëna nga Presidenti Trump.
“Shifra nuk është e vërtetë”, tha Liana Fix, studiuese për Evropën në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë. “Është e mundshme që të gjurmohen se sa kanë shpenzuar Shtetet e Bashkuara për Ukrainën”./ VOA