Kryedemokrati Sali Berisha i qëndroi deklaratave për “shkrirjen” e SPAK gjatë një emisioni televiziv mbrëmjen e sotme.
Berisha tha se nëse do të pranonte një prokurori politike, atëherë ai do të tradhtonte opozitarizmin.
Për të shpjeguar qëndrimin e tij për “shkrirjen” e SPAK, Berisha mori si shembull Presidentin amerikan, Donald Trump.
“Tre ditë më parë Donald Trump ka shkrirë prokurorinë e Nju Jorkut. Dy ditë më parë Donald Trump ka shkarkuar të gjithë prokurorët e emëruar nga Joe Biden. Sepse vetëm e vetëm janë dëshmua prokurori politike, për asgjë tjetër. Sepse po të marrësh platformën e tij, platforma antikrim e tij është më e fuqishme seç ishte e Joe Biden”, tha ai.
“Ky institucion është para një mali aktesh korruptive të panumërta. Unë kam vlerësuar dhe mbështetur ata prokurorë që zbatojnë ligjin. Por, ata që flenë mbi dosjet e krimit dhe i përdorin ato për t’u pasuruar dhe ryshfet, ata duhen dënuar”, tha Berisha.
“Absolutisht nuk kam asnjë lidhje me të (Edi Ramën) në këto vlerësime. Unë do të tradhtoja opozitën nëse nuk do të qëndroja me forcën më të madhe kundër prokurorisë politike. Një prokurori që punon për një Shqipëri pa opozitë, duke arrestuar liderët e opozitës pa asnjë fakt…”, shtoi kreu demokrat.