A mund të arrijnë SHBAja dhe Rusia një marrëveshje pa Ukrainën?

3 Min Read

Gjatë kësaj jave u mbajtën dy samite urgjente në Evropë dhe u panë deklarata shqetësuese nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke vënë në pah frikën në kryeqytete, që nga Kievi e deri në Londër.

Në këtë fazë, janë dy pyetje kryesore: a do të jenë në gjendje Uashingtoni dhe Moska të pajtohen për një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe nëse do ta arrinin këtë, çfarë do të mund të bënte kushdo për këtë çështje?

Në Moskë, ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, i tha Dumës shtetërore se “kriza nuk duhet të zgjidhet me një armëpushim”.

Nëse Kremlini është i gatshëm për një marrëveshje, ai duket se është i gatshëm që të vendosë kushte të mëdha. Skenari më i tmerrshëm për Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë është që Uashingtoni do të pajtohet me një kusht të këtij lloji.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se të dyja palët në konflikt do të duhet të bëjnë koncesione, por nuk kanë ofruar detaje se çfarë koncesionesh mund të ketë për Rusinë.

I pyetur për këtë çështje më 15 shkurt teksa po merrte pjesë në Konferencën për Siguri në Munih, Kellogg tha: “Do të ketë koncesione territoriale” dhe “mund të jetë edhe heqja dorë nga përdorimi i forcës”.

Skeptikët kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara po japin shumë, shumë shpejt, në kërkim të një fitoreje të shpejtë dhe të lehtë diplomatike. Por, nëse ka një marrëveshje që Ukraina dhe Evropa nuk e pranojnë, çfarë do të ndodhë më pas?

Ka pasur një sërë deklaratash të fuqishme.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, u pyet në Munih se si do të dukej “mospranimi” i një marrëveshjeje të keqe nga Kievi? “Ne e dimë si të rezistojmë. E kemi dëshmuar këtë në fushëbetejë”, tha ai.

Por, Uashingtoni është ofruesi më i madh i mbështetjes ushtarake, duke vënë në pah nivelin e vështirësive që Ukraina do të përballej pa mbështetjen amerikane. Për të mbuluar këtë mungesë, Evropa do të duhej ta dyfishonte pothuajse mbështetjen e saj totale për Kievin.

Udhëheqësit evropianë vazhdimisht kanë përsëritur qëndrimin se do t’i ofrojnë ndihmë Ukrainës “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Por, kjo nuk adreson çështjen nëse ata do të rrisin në mënyrë masive këtë ndihmë për të mbushur hendekun.

Duke pasur parasysh kufizimet fiskale dhe ndarjet politike është e paqartë nëse Evropa do të rriste mbështetjen. Deri më tani, në çdo hap që ka bërë Evropa ajo ka pasur nevojë për Amerikën që t’ia mbajë dorën./REL

Share This Article
Leave a Comment