Vendimi/ Apeli rrëzon Ajola Xoxën, nuk i kthen sendet e sekuestruara bashkëshortes së Veliajt

2 Min Read

Gjykata e Posaçme e Apelit e konsideron të ligjshëm sekuestrimin e dokumentave dhe pajisjeve elektronike në bizneset e Ajola Xoxës. Gjyqtari Engert Pëllumbi rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe shoqërisë “Partners Law”, që i konsideronte masat e sekuestros si të paligjshme.

Për shqyrtimin e kësaj kërkese ishte caktuar gjyqtarja Ilirjana Olldashi, e cila dërgoi një raport mjekësor ku theksonte se ndodhej në pamundësi për të marrë pjesë në gjykim. Engert Pëllumbi u përcaktua në kuadër të listës së hartuar nga zëvëndës kryetari i Apelit të Posaçëm në fillim të vitit, si i gatshëm për raste urgjente në gjykim.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

Telefoni Xoxës u sekuestrua nga SPAK nga hetimet e dosjes “Veliaj”, ku rezultonte se Xoxa ishte e përfshirë në skema abuzimesh me fondet publike. Prokuroria e Posaçme e akuzon Xoxën për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Xoxa është lënë në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”. Fillimisht ndaj saj u vendos masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa pas seancës së vlerësimit të masës, GJKKO vendosi “detyrim paraqitje”.

Share This Article
Leave a Comment