Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë një njoftim zyrtar lidhur me operacionin e forcave RENEA në Shkodër, i cili ka lidhje me ngjarjen e ndodhur më 23 gusht 2024, në Rranxë të Bushatit. Atë kohë, u qëllua me armë automjeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin dyshohet se udhëtonin Izmir Sakica dhe Samuel Troshani.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e masave të sigurimit personal, ndërsa më 16 shkurt 2025, Gjykata e Posaçme e ka aprovuar masën “Arrest në burg” për pesë persona, përfshirë Sakica, Troshani, F.L., dhe A. Prendi. Ata dyshohen për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë “sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasje” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, ndërkohë që një person tjetër, A. Prendi, është dyshuar për “vrasje me dashje” dhe “mbajtje armësh pa leje”.
Hetimet kanë zbuluar se më 23 gusht 2024, grupi i dyshuar ka udhëtuar drejt Rranxës me mjete të blinduara, të armatosur, me qëllim vrasjen e A. Prendi dhe familjarëve të tij. Gjatë ngjarjes ka ndodhur një shkëmbim zjarri, por pa viktima. Mjeti i përdorur nga dyshuarit ka pësuar dëmtime nga të shtënat.
Më 18 shkurt 2025, janë realizuar kontrolle në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, duke u kërkuar prova për veprat penale në hetim. SPAK ka falenderuar Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në realizimin e operacionit.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve për procedimin penal me nr.220 të vitit 2024, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues. Më datë, 16.02.2025, përmes vendimit nr.11, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 11, të datës 16.02.2025 ka vendosur:
Nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23.08.2024, rreth orës 17.00 të pasdites personat nën hetim Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe F.L., bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
Personat nën hetim kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se ata kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e personit nën hetim A. Prendi dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë.
Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga personi nën hetim A. Prendi.
Nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri, jo dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë, por vetëm të mjeteve. Njëri nga mjetet me të cilën kanë lëvizur personat nën hetim, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes. Ai ka rezultuar i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkojnë po të njëjtit mjet.
Më 18 shkurt 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim Izmir Sakica dhe Samuel Troshani dhe janë shpallur në kërkim personat nën hetim F.L. dhe A. Prendi
Gjithashtu, në po të njëjtën datë, në zbatim të vendimit nr. 123, të datës 17.02.2025, të Gjykatës së Posaçme është ushtruar kontroll në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim ose si vende, ku mund të gjenden prova për vepra penale, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për bashkëpunimin në kryerjen e kontrolleve dhe ekzekutimin e masave të sigurisë.