Dokumenti, të cilin Terras e shkroi pas konsultimeve me partnerët dhe duke marrë parasysh gjetjet e Komisionit Evropian, nënvizon “progresin domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut”, por shpreh keqardhje për përparimin e limituar në sundimin e ligjit.
Në raport shprehet shqetësim për gjendjen jo të kënaqshme në Kosovë sa i përket korrupsionit dhe kërkohet që, pos reformave ligjore, të ketë edhe rezultate të dukshme në hetime dhe dënime të rasteve.
Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjeve të pushteteve.
Raporti kërkon që kryesit e këtyre veprave të dhunshme, të nxirren para drejtësisë.
Sa i përket gjendjes së mediave, raporti përmend ekzistimin e një mjedisi pluralist dhe nënvizon rolin e Komisionit të Pavarur të Mediave, autonomia e të cilit “duhet të ruhet fuqishëm”.
Në raport kërkohet më shumë transparencë sa i përket pronësisë dhe financimit të mediave, ndërsa shprehet shqetësim serioz për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.
Pas paraqitjes së këtij drafti në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, deputetët do të kenë mundësi të paraqesin edhe amendamente në të.
Pastaj, për to do të votohet së pari në Komisionin parlamentar, e më pas raporti do të miratohet si rezolutë e Parlamentit Evropian.